Ish-presidenti Brazilian, Luiz Lula, po përballet me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash në një skemë të organizuar nga një kompani nafte.

70-vjeçari ka mohuar akuzat duke i cilësuar ato si të nxitura politikisht, por prokurorët thonë se ka mjaftueshëm prova për të vërtetuar fajësinë e tij. Në një skenar të tillë, për Lulan do të bëhet i pamundur kandidimi për President në 2018. Ish-presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, do të dalë në gjyq pasi përballet me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash në një skemë të dyshuar lidhur me kompaninë e naftës Petrobras. Paditësit argumentojnë se ai ka pranuar 3.7 milionë realë ose 1.1 milionë dollarë rryshfet në skemën miliona dollarëshe. Lula, 70 vjeç, ishte akuzuar në gusht se po pengonte hetimin dhe ka mohuar çdo akuzë, duke i konsideruar ato si të nxitura politikisht. Gjyqtari Sergio Moro, i cili po mbikëqyr hetimin, thotë se ka mjaftueshëm prova për të vërtetuar fajësinë e ish-presidentit. Paratë që ai pretendohet të ketë marrë, janë pastruar përmes blerjes dhe rinovimit të një apartamenti në bregdet, sipas prokurorëve, ndërkohë që vetë apartamenti është ndërtuar nga një kompani e përfshirë në këtë skandal. Së bashku me Lulan janë akuzuar edhe bashkëshortja e tij dhe 6 persona të tjerë. Prokurorët e cilësuan 70-vjeçarin si “boss-in” e skemës, e cila përllogaritet se i ka kushtuar kompanisë më shumë se 2 bilionë dollarë. Politikanë të ndryshëm dhe zyrtarë të Petrobras janë arrestuar dhe dënuar si pasojë e hetimit 2-vjeçar. Lula, i cili shërbeu si President në periudhën 2003-2011, është një nga liderët më popullorë në Brazil dhe mendohet se do të jetë një nga kandidatët në garën presidenciale të 2018. Megjithatë, popullariteti i partisë së tij ra në mënyrë drastike gjatë këtij viti, kur pasuesja e tij Dilma Rousseff, u shkarkua nga detyra e presidentes për shkak të akuzave për manipulim të buxhetit. Një dënim për vepër penale mund ta pengojë 70-vjeçarin nga kandidimi në 2018.

Artikulli paraprakSHKODËR, WORKSHOP ME TEMË “SERVISI I BIÇIKLETAVE”
Artikulli tjetërGJERMANËT SHMANGIN TRAGJEDINË, AUTOBUSI SHQIPTAR PA FRENA