Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka propozuar një projektligj të ri, i cili parashikon kategoritë dhe mënyrën e dhënies së ndihmës ekonomike, pagesave të aftësisë së kufizuar dhe bonusit të bebeve. Nisma për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë do të miratohet së shpejti nga Këshilli i Ministrave, për t’u depozituar më pas në Kuvend.

Në projektligj përcaktohen për herë të parë gjashtë kategori që nuk mund të përfitojnë ndihmë ekonomike. Konkretisht, sipas nenit 10 të nismës ligjore, nuk mund të marrin ndihmë ekonomike shqiptarët që banojnë jashtë vendit si emigrantë, azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilit, shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi,

shtetasit shqiptarë të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave, personat që vuajnë dënimin me heqje lirie si dhe personat që trajtohen në institucionet e përkujdesjes publike. Projektligji parashikon edhe rastet kur familjet që janë në skemën e ndihmës ekonomike, përjashtohen nga gjashtë muaj deri në një vit.

Nën nenin 14 të projektligjit, liston të gjitha veprimet që çojnë një familje drejt përjashtimit nga skema. Ndërkaq, nisma ligjore parashikon shtatë kategori që përfitojnë ndihmë ekonomike, ku përfshihen familjet në nevojë ose që kanë të ardhura të pamjaftueshme,

jetimët prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në familje, fëmijët e vendosur në familje kujdestare dhe refugjatët që kanë marrë statusin e refugjatit. Po ashtu, nisma ligjore parashikon katër kategoritë që përfitojnë pagesë për aftësi të kufizuar.

Aplikimi

Neni 15 i projektligjit parashikon procedurën e aplikimit për të përfituar ndihmë ekonomike. Konkretisht, kërkesa për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet nga kryetari i familjes ose njëri nga anëtarët madhorë të familjes së bashku me bashkëshortin/en ose i vetëm kur nuk ka bashkëshort/e.

Aplikimi bëhet tek administratori shoqëror në njësinë administrative nën juridiksionin e së cilës familja ka vendbanimin. Gjithashtu është përcaktuar se të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike për familjet në nevojë e ka bashkëshortja e kryefamiljarit. Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon, të drejtën e tërheqjes e ka kryetari i familjes.

Kategoritë që nuk përfitojnë ndihmë ekonomike

1. Shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit si emigrantë , me përjashtim të subjekteve përfituese në nenin 8 të këtij ligji.

2. Azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilit.

3. Shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave.

4. Shtetasit shqiptarë, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave, për përfitim të ndihmës ekonomike dhe pagesës së aftësisë së kufizuar.

5. Personat që, me vendim të formës së prerë të gjykatës, vuajnë dënimin me heqje lirie dhe personat që trajtohen me mjekim të detyruar me vendim gjykate në institucionet mjekësore të posaçme sipas nenit 28, të ligjit nr. 44/2012 “Për shëndetin mendor”.

6. Personat që trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike, të financuara nga fondet e Buxhetit të Shtetit, për masën e ndihmës ekonomike apo pagesën për aftësinë e kufizuar.

Rastet e përjashtimit nga ndihma ekonomike për 6 muaj

-Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes që jetojnë në të njëjtën strehë, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë nënë;

-Nuk tërheq ndihmën ekonomike pa shkaqe të arsyeshme, brenda afateve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;

-Refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje;

-Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë;

-Nuk paraqiten për deklarim dhe/ose nuk deklarojnë ndryshimet e situatës social-ekonomike çdo tre muaj pranë administratorit shoqëror;

-Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;

-Nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës, të punësuar apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, anëtarët që janë në moshë aktive pune, të aftë për punë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit.

Përjashtohen nga ky detyrim anëtarët e familjeve që banojnë në zonat rurale dhe që zotërojnë ose jo tokë bujqësore në pronësi/përdorim, apo familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.

Rastet e përjashtimit nga ndihma ekonomike për 1 vit

Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë një vjeçare familjet të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:

-Është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;

-Punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit;

-Ka kryer dy ose më shumë deklarime të rreme;

-Ato familje të cilat rezultojnë me të ardhura dhe kushte shumë të mira social-ekonomike.

Kategoritë që përfitojnë ndihmë ekonomike

1. Familjet në nevojë që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme.

2. Jetimët, të cilët nuk janë në institucione.

3. Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.

4. Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre.

5. Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

6. Fëmijët e vendosur në familje kujdestare sipas përcaktimeve në ligjin nr. 121/2016 “Për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë”.

7. Refugjatët që kanë marrë statusin e refugjatit sipas përcaktimeve në ligjin 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

Kategoritë që përfitojnë pagesë për aftësi të kufizuar

1. Paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të cilët deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha.

2. Personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.

3. Personat me aftësi të kufizuar të deklaruar të tillë me vendim të Komisionit Shumëdisiplinor të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar.

4. Personat, të cilët janë deklaruar invalidë pune me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfitojnë pension invaliditeti dhe shtesë mujore mbi të, sipas Statusit të Invalidit të Punës.

Artikulli paraprakRIKTHEHET NË SKENË YLLKA MUJO NË ROLIN E MBRETËRESHËS HERODIA
Artikulli tjetërTRONDITET SHKODRA, VRITEN 2 PERSONA