Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj do të zhvillojë një vizitë në jug të vendit. Kreu i shtetit do të vizitojë gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte Delvinën, Finiqin dhe Sarandën. Sipas presidencën kreu i shtetit do të takohet me përfaqësuesit e pushtetit vendor, komunitetin e biznesit dhe turizmit. Presidenti Begaj do të takohet në Delvinë me Kryetaren e Bashkisë, Majlinda Qilimi për t’u njohur nga afër me sfidat me të cilat përballet komuniteti në këtë zonë si dhe do të takohet me përfaqësues të sipërmarrjeve të vogla e do të vizitojë Muzeun e Historisë.

Presidenti Begaj do të vizitojë edhe Finiqin, ku do të takohet me Kryetarin e Bashkisë, Kristo Kiço, me përfaqësues e intelektualë të minoritetit grek, si dhe do të vizitojë edhe Parkun Arkeologjik të Finiqit. Në Sarandë, Presidenti Begaj do të takohet me kryetarin e bashkisë, Adrian Gurma si dhe do të vizitojë repartin pediatrik të spitalit “Petro Nako” ku do të takohet e do të bisedojë me stafin e mjekëve. Presidenti dhe Zonja e Parë do të vizitojnë edhe shkollën e mesme “Hasan Tahsini”. Një vizitë do të zhvillohet edhe në Parkun Kombëtar të Butrintit, për të parë bukuritë natyrore të këtij parku – pasuri e mbrojtur e UNESCO-s – që tërheq turistë nga e gjithë bota.

Po në të njëjtën ditë që presidenti Begaj do të nisë turin e tij në jug të vendit, kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis do të vizitojë Himarën, për të zhvilluar edhe ai një takim me komunitetin grek në vendin tonë.

Artikulli paraprak“AJO QË SHQIPTARËT PANË, ISHTE VETËM PERDJA”, BERISHA FLET PËR ZGJEDHJEN E KREUT TË SPAK
Artikulli tjetërTENSIONET NË VERI, KURTI: HEQJA E BARRIKADAVE MUND TË …