Auron Tare i njohur për lidhjen e tij me trashëgiminë kulturore ka reaguar ashpër pas një vizite që ka bërë në Kalanë e Shkodrës.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, flamuri që valëvitet në kala është kinez. “Fund Maji 2017. Në Kalanë e Shkodrës valëvitet flamuri i shpërfytyruar porositur në Kinë nga Qeveria Berisha. Unë nuk e di se kush e ka në administrim Kalanë e Shkodrës, por nuk mund të mos i them dy fjalë për këtë turp që i bëhet Flamurit Kombëtar.

Në 2012 së bashku me kolegun Tahiri kemi bërë një debat të gjatë në Parlament për të demaskuar përdhosjen e simbolit kombëtar. Nga një Qeveri e papërgjegjshme apo sic do mbahet mend Qeveria e Tortës. Nuk ka keqardhje më të madhe për mua kur shikoj ende Flamurin e shpërfyturuar (nga papërgjegjësia e Qeverisë Berisha) të valëvitet në Kalanë simbol të rezistences shqiptare, Shkodrës”, shkruan Tare.

Më pas ai kthehet në kohën kur kalaja ishte e rrethuar nga malazezët. ”Kur kalaja e Shkodrës ishte rrethuar nga malazezët, komandanti i trupave otomane dhe vullnetarëve shqiptarë, Hasan Riza Pasha ju propozoi malësorëve të ngrinin flamurin shqiptar në bedenat e kalasë. Ngritja e flamurit ishte një prej momenteve më të rëndësishme të Rrethimit të Shkodrës.

Kronikat janë paksa të turbullta nëse flamuri u ngrit apo jo por me dorëzimin e Shkodrës malazezët të parën gjë që bënë ngritën flamurin e tyre. Respektimi i Flamurit kombëtar është një nga shenjat e para të civilizimit të një kombi. Me largimin trupave malazeze, Flamuri shqiptar u ngrit më në fund krenar në Kalanë e Shkodrës. Kanë kaluar mbi 100 vjet nga kjo luftë dhe historia e Flamurit përmendet gjithmonë nga historianët”, – shkruan Tare.

Artikulli paraprakVLLAZNIA U-19 SHPALLET KAMPIONE E SHQIPËRISË
Artikulli tjetërPD NË TERREN, TAKON BIZNESIN E VOGËL