Për guvernatorin e Kalifornisë, Xheri Brawn, zjarret që kanë pushtuar shtetin ditët e fundit, mund të ndodhin çdo vit për shkak të ndryshimeve klimaterike.

Prej një jave, pjesa jugore e Kalifornisë lufton për shuarjen e gjashtë vatrave madhore të zjarreve, të cilat kanë djegur dhjetëra hektarë tokë dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Zjarret shkatërruese të favorizuara nga ndryshimet klimaterike janë tashmë pjesë e një realiteti të ri në Kaliforni.

Deklarata vjen nga guvernatori i shtetit, Jerry Brown, i cili shtoi se zjarre të mëdha si këto që kanë përfshirë Kaliforninë jugore në ditët e fundit, “mund të ndodhin çdo vit”.

“Po përballemi me një realitet të ri në këtë shtet, ku zjarret kërcënojnë jetët e njerëzve, pronat e tyre dhe sigurisht miliarda dollarë,” deklaroi guvermatori pasi inspektoi dëmin e shkaktuar në Kontenë Ventura në veri të Los Anxhelesit.

Mijëra zjarrëfikës janë angazhuar në betejën kundër flakëve që prej ditës së hënë, ndërkohë që vetëm të shtunën, ata kanë mundur të bëjnë progres në shuarjen e zjarreve. Kanë qenë plot 6 vatra të mëdha zjarri që kanë shkrumbuar Kaliforninë jugore, të cilat janë ndihmuar nga erërat e fuqishme dhe kanë djegur dhjetëra hektarë tokë në disa orë.

Edhe moti ekstrem, pra mungesa e lagështisë dhe toka e thatë kanë ndikuar në përhapjen e flakëve. Autoritetet kanë lëshuar alarmin e purpurt, nivelin më të lartë të paralajmërimit, ndërkohë që presidenti Donald Trump deklaroi gjendjen e emergjencës për Kaliforninë, për t’i hapur rrugë lehtësimit të situatës.

Artikulli paraprakGJIKNURI NË HEC-IN E VAUT TË DEJËS
Artikulli tjetërGAZ LOTSJELLËS NË PROTESTËN ANTI-TRUMP NË LIBAN