Nëse dikush njeh anëtarët e këshillit bashkiak do të bënin nder që të futeshin mik për t’i thënë që të vijnë në mbledhjet e komisioneve.

Në bashkinë Shkodër janë bërë merak se nga kanë humbur. Nuk është hera e parë që ndodh. Edhe më përpara Star Plus ka ngritur këtë shqetësim teksa anëtarët e këshillit bashkiak nuk denjojnë që të vijnë në mbledhjet e komisioneve. Kësaj here duhej të mblidheshin me çdo kusht sepse këshilli dhe këto komisione të famshme janë përpara miratimit për buxhetin e vitit 2016. Një ditë më parë nga 4 komisione që duhej të ishin mbledhur, vetëm njëri prej tyre e ka realizuar një gjë të tillë ndërsa 3 të tjerë kanë dështuar që të mblidhen. Padyshim se kjo është një mungesë totale përgjegjësie morale ndaj atyre që i besuan votën duke i zgjedhur që t’i përfaqësojnë në këshill. Është një neglizhencë e pakuptimtë e një pjese të mirë të anëtarëve të këshillit bashkiak. I pari që duhej të mblidhej është komisioni për çështjet ligjore. Nga ky komision ka treguar korrektësi vetëm Klodiana Dizdari e LSI ndërsa pjesa tjetër nuk kanë ardhur edhe pse është ndër më të rëndësishmit për të parë nëse gjithçka është bërë sipas neneve ligjore apo jo. I dyti në radhë ishte komisioni i rendit publik dhe mbrojtjes civile, po ashtu me një rëndësi të madhe. Nga ky komision erdhi vetëm kryetari Muarrem Shkjau i cili tha se nuk është aspak e moralshme që këshilltarët të mos vijnë në komisione e pastaj të bërtasin në mbledhjet e këshillit. As komisioni i shëndetësisë, veterinarisë dhe mbrojtjes së konsumatorit nuk është mbledhur edhe pse problematikat janë të mëdha në këto fusha. I vetmi komision që është zhvilluar ndonëse edhe ai në kohë vonesë është komisioni i bujqësisë, pyjeve, dhe menaxhimit të ujrave dhe mbrojtjes së mjedisit. Nëse komisionet vijojnë që të mos mblidhen atëherë edhe këshilli bashkiak nuk do të funksionojë siç duhet dhe gjithçka aty do të jetë një fasadë që ndahet në pazare politike.

Artikulli paraprak“ FUQIZIMI SOCIAL DHE EKONOMIK PER ROMET DHE EGJYPTIANËT”
Artikulli tjetërPANGANIKA: KANË NISUR AKSIONET KUNDËR BIMËVE NARKOTIKE