Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në përgjigjet për gazetarët në konferençën e përbashkët me Edi Ramës dhe kryeministrin maqedonas Kovaçevski, tha se ajo që ndodhi për Shkupin dhe Tiranën ishte e padrejtë.

Ai shtoi se shtetet kanë ende shumë për të bërë, duke nisur që nga përmirësimi i standarteve të jetesës për qytetarët e deri tek përmirësimi i drejtësisë e demokracisë.

“Unë sot i kam mbaruar leksionet. Unë mendoj që e ardhmja është në duart tona. Nëse do vendosim të lidhemi, të integrohemi, në qoftë se do të sigurojmë mirëfilli qarkullimin e lirë të mallrave, njerëzve, kapitaleve, kjo do të thotë shumë për vendet tona, popujt tanë.

Kjo është ajo çka duhet të bëjmë. Duhet të jemi më të përkushtuar nëse duam të shohim rezultate.

Pata një diskutim me presidentin francez për një orë dhe me kryeministrin austriak. Ballkani Perëndimor ka të ardhme europiane por vërtetë ka shumë për të bërë nga ne. Kjo që ndodhi me RMV dhe Shqipërinë ishte e padrejtë.

Shpresoj që të gjithë ne të tejkalojmë vështirësitë por nuk mund të qajmë dhe bërtasim sepse edhe nëse të gjithë na dëgjojnë nuk do të ndryshojë asgjë. Duhet të punojmë dhe të krijojmë një mjedim më të mirë e standarte më të larta. Të përmirësojmë gjyqësorin, drejtësinë, demokracinë etj”, tha Vuçiç.