KLD mblidhet për Vettingun dhe dhunën

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi mbledhjet plenare nën drejtimin e Presidenti Ilir Meta, njëherësh kreu i këtij këshilli me çështjet kryesore zbatimin e ligjit të Vettingut dhe dhunën në familje. Shqetesimi i Inspektoriatit për mungesën e procedurave që duhet të ndiqen gjatë vlerësimit profesional të gjyqtarëve, që në fakt duhet të vendosen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, gjeti mbështetjen e të gjithë anëtarëve, të cilët u shprehën bashkëpunues në përshpejtimin e procesit të Vettingut. “Vullneti për bashkëpunim, për të plotësuar të gjitha detyrimet që ka ky institucion deri në krijimin e institucioneve të reja kushtetuese është maksimal dhe në kuadër të përshpejtimit të zbatimit të reformës në drejtësi dhe sidomos të zbatimit të ligjit të Vetting-ut, por njëkohësisht edhe në drejtim të përballimit të sfidave që ka funksionimi aktual i sistemit gjyqësor, që natyrisht ka vështirësitë e veta drejt kalimit në një sistem plotësisht të ri. Ky është një proces plot sfida dhe vullneti është maksimal për të bashkëpunuar me institucionet e reja të Vetting-ut, por edhe me EURALIUS dhe OPDAT-in që asistojnë në këtë proces”, deklaroi Presidenti Meta. “Është një fushë e pashkelur, asnjëri nuk ka eksperiecë sesi duhen përgatitur aktet. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përgatitur akte, do t’i ofrohen Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit në mënyrë informuese”, deklaroi Gerti Hoxha, anëtar i KLD-së. Shqetësimet e KLD-së për Vettingun Cilat janë shqetësimet e Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i përcaktuar si një nga organet ndihmëse të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit gjatë rivlerësimit profesional të gjyqtarëve? Në shkresën që Top Channel disponon thuhet se pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë dorëzuar formularët e vetëvlerësimit profesional 466 gjyqtarë e ndihmësligjorë që nga Shkalla e Parë deri në Kushtetuese. Vështirësia themelore, thonë inspektorët lidhet me mungesën e udhëzimeve për procedurat e detajuara që duhet të ndiqen për rivlerësimin profesional të gjyqtarëve. “Kjo situatë bën shumë sensitive çështjen e miratimit të udhëzimeve të qarta nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit të cilat duhet të përfshijnë rregulla për shortimin e çështjeve gjyqësore që duhen përzgjedhur për shortim, procedurat për tërheqjen e informacionit të nevojshëm tek institucionet e treta, si dhe modele të standardizuara të akteve administrative”, thuhet aty. Inspektorët kujtojnë se me hyrjen në fuqi të ligjit të vettingut ishte në zbatim ligji i vlerësimit të gjyqtarëve i vitit 2008, sipas të cilit për të vlerësuar punën e një gjyqtari përdoreshin burime të ndryshme mes tyre edhe për volumin e gjyqeve dhe dosjeve që zvarriten. “Rrjedhimisht është e paqartë se cila normë do të zbatohet në burimet e vlerësimit. Zgjidhja e kësaj çështjeje është e lidhur drejtpërdrejtë me suksesin e procesit të Vettingut në drejtim të afatit të caktuar nga ligji”, thotë Inspektoriati i KLD-së. Në shkresë thuhet se kjo situatë i është relatuar edhe Presidentit në cilësinë kryetarit të KLD-së i cili ka kërkuar: “Të merren masa të menjëhershme për hartimin e një projekt-udhëzimi për kriteret dhe standardet e vlerësimit profesional nga Inspektoriati i KLD-së për subjektet e rivlerësimit që kanë depozituar formularët dhe dokumentin shoqërues pranë KLD-së. Gjatë hartimit, ky projekt-udhëzim të konsultohet me Operacionin Monitorues Ndërkombëtar, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit , si dhe të jetë gati brenda datës 20 shtator”, kërkon Presidenti Meta.

Artikulli paraprakVRET ME ARMË PERSONIN QË ISHTE DUKE NGRËNË NË RESTORANT
Artikulli tjetërEKZEKUTIMI I KRYEKOMISAR ARTAN CUKUT LABORATORI: PISTOLETAT NUK JANË PËRDORUR NË KRIME TË MËPARSHME