Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar për ndjekje penale Drejtorin e Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë Elbasan Aksel Qorduka. Në një komunikatë për shtyp, KLSH sqaron se nga auditimi në këtë njësi u konstatuan pagesa ndaj kontraktorëve privatë të dhëna në kundërshtim me kontratën e punimeve, si dhe keqmenaxhim i fondeve.
Auditimi i kryer në këtë njësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka zbuluar se për këto shkelje është shkaktuar një dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerë mbi 2,4 milionë USD. Por është konstatuar dhe një keqmenaxhim fondesh me vlerë mbi 4 milionë USD, që e çon në 6.4 milionë dollarë totalin e dëmit ekonomik dhe shpërdorimeve për këtë segment. Një prej shkeljeve më të rënda është zbuluar në Mullet, ku kanë rezultuar difektoze disa nga punimet e realizuara nga kontraktori. Këto punime po përsëriten ndërkohë që kompanisë kontraktore nuk i është faturuar vlera 1,6 milionë dollarë e këtyre punimeve që po kryhen për fajin e saj. Më tej KLSH sjell në vëmendje një faturë prej 137 mijë dollarësh paguar kontraktorit për segmentin “Tunel i Krrabës-Elbasan”, ndërkohë që pagesa e saj është përfshirë në pagesat e segmentit “Sauk-Tunel i Krrabës”. Një tjetër faturë prej 286 mijë dollarësh është paguar nga Autoriteti Rrugor për punime që janë certifikuar por ndërkohë punimet nuk janë realizuar akoma. Sipas KLSH, Për të gjitha shkeljet e mësipërme, mban përgjegjësi kryesore Drejtor i Njësisë Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan Aksel Qorduka, i cili në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij funksionale ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Por KLSH nuk përjashton edhe mundësinë e konstatimit gjatë hetimeve të përgjegjësisë penale edhe ndaj personave të tjerë anëtarë të Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, si dhe eprorëve të tyre të cilët kanë ndikuar në cfarëdo mënyre dhe që evidentohen më konkretisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit).