Kodheli me komandantin e KFOR: Terrorizmi është një rrezik real

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka pritur sot në një takim komandantin ri të KFOR-it gjeneralmajor Giovanni Fungo, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë ku ka thënë se terrorizmi është një rrezik real për të gjithë. Kodheli shprehu besimin në lidershipin e ri të KFOR-it, si dhe theksoi se mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për këtë mision. Të dy bashkëbiseduesit e cilësuan KFOR-in si një histori suksesi të NATO-s, prania e së cilës në Kosovë, kontribuon në paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit. Sa i përket sfidave të reja të sigurisë, dy personalitetet ndanë mendimin se terrorizmi është shndërruar në një rrezik real jo vetëm për Evropën, por edhe më gjerë. Ata gjithashtu shprehën nevojën për rritjen e masave të sigurisë nga të gjitha institucionet për të përballuar kërcënimet e mundshme të ekstremizmit të dhunshëm, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Kodheli e njohu ushtarakun e lartë të Aleancës, me përpjekjet e Shqipërisë për ngritjen në vendin tonë të një Qendre Ekselence të NATO-s për studimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, si një fenomen që ka prekur thuajse të gjithë vendet e rajonit. Më herët komandanti i ri i KFOR-it gjeneralmajor Giovanni Fungo u prit në një takim edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo.

Artikulli paraprakDEKLARATAT E RAMES NE BEOGRAD,HOXHAJ:SHQIPERIA TE MOS PERZIHET
Artikulli tjetërGJENDEN MUNICIONE LUFTARAKE NE DIGEN E REZERVUARIT TE DIVJAKES