Policia vendore e Shkodrës ka zbardhur rrethanat e konfliktit mes dy shtetasve ku pati edhe të shtënash armësh. Ngjarja ndodhi pasditen e 6 prillit në lagjen “Skënderbeg”, ku u qëllua me armë zjarri. Policia bën të ditur se ka lokalizuar dhe kapur e vënë në pranga shtetasin Mond Çekini, 50 vjeç i cili sipas policisë dyshohet se tentoi që të vriste me armë zjarri 24 vjeçarin Roz Martini. Efektivët si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, të organizuara dhe të kryera menjëherë pas konfliktit ndërmjet shtetasve Roz Martini dhe Mond Çekini, bënë të mundur prangosjen e autoriut të dyshuar. Nga hetimet dyshohet se 50-vjeçari, për shkak të një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë, shtetasin Roz Martini, 24 vjeç. Sipas policisë nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas. Ndërkohë policia ka zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes së ndodhur. Sipas burimeve policore dyshohet se shtetasi i arrestuar Mond Çekini i cili nuk ka pranuar se është ai personi që ka qëlluar me armë zjarri ka ndjekur me një motorçikletë shtetasin Ilir Martini, që është xhaxhai i 24 vjeçarit Roz Martini. Në momentin kur automjeti është futur në rrugicë pasi Ilir Martini po kthehej nga puna, motorçikleta ka lëvizur me shpejtësi në drejtim të tij. Në atë moment kanë qenë duke dalë nga banesa dy nipat e Ilir Martinit. Sapo autori i dyshuar nga nxjerrë pistoletën nga xhepi, një komshie e familjes Martini e cila edhe ajo po kthehej nga puna dhe ka qëlluar në vendin e ngjarjes i ka bërtitur komshinjve të tyre duke thënë ikni se ka armë. Në momentin kur autori i dyshuar ka parë dy djemtë e rinj të cilët nuk i ka njohur nëse kanë apo jo lidhje me shtetasin Ilir Martini të cilin po e ndiqte nuk ka qëlluar në drejtim të tyre por ka shtënë në tokë. Autori i dyshuar duke tentuar që të largohet me shpejtësi ka rënë në këtë kanal në anë të rrugës por ka arritur që të dalë në pak sekonda duke ikur në drejtim të paditur derisa policia e arrestoi. Familja Martini nuk pranojnë asnjë konflikt të mundshëm dhe kanë deklaruar se nuk e njohin shtetasin Mond Çekini dhe arsyen përse ka dashur që të qëllojë në drejtim të tyre. Po ashtu 50 vjeçari që u arrestua ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur duke mohuar autorsinë. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.

Artikulli paraprak22 VITE BURG PËR AUTORIN E VRASJES LEKË VUKSANI
Artikulli tjetërBINJAKËZIM MES “28 NËNTORI” DHE “PETRO NINI LUARASI”