Është hapur këtë të martë procesi i aplikimit për Akademinë e Policisë, në një event ku të pranishëm kanë qenë edhe kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm, Tahiri.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama vuri në dukje se, Policia e Shtetit në këto thuajse 3 vite qeverisje të majtë i është nënshtruar një transformimi rrënjësor, që ka rritur profesionalitetin e saj. “Jemi duke transformuar rrënjësisht Policinë e Shtetit, e cila renditet sot e para në listën e institucioneve për nga besueshmëria”, deklaroi Rama. Ai u shpreh se, ligji i ri i policisë reformoi sektorin e sigurisë, ndërsa shtoi se po rritet niveli mesatar i arsimimit të punonjësve të Policisë së Shtetit. “Kishim policinë më të paarsimuar të rajonit tonë, ndërsa sot numri i policëve me arsim të lartë ka shkuar në 33 për qind. Ne do ta bëjmë Policinë e Shtetit një trupë të dalluar në rajon”, tha Rama. Ndërsa ministri Tahiri, duke saktësuar se këtë herë janë rreth 5 mijë aplikantë për 300 vende, nënvizoi se sot Policia e Shtetit ka nevojë për njerëz të aftë. “Për të shërbyer në Policinë e Shtetit ka konkurs ku fiton më i miri. Të shërbesh në Policinë e Shtetit nuk është punë si gjithë të tjerat. Duhet të punojmë për të luftuar të korruptuarit dhe për të promovuar të aftët”, u shpreh Tahiri. Më tej ministri i Brendshëm preku edhe sistemin e drejtësisë, gjendja e të cilit sipas tij është më e rëndë se kurrë. “Drejtësia e pabarabartë është më keq se të mos kesh drejtësi fare. Sot mbushen 8 vjet nga tragjedia e Gërdecit dhe ka më pak vite burg për shkaktarët sesa viktima”, tha Tahiri.

Artikulli paraprakMATURA SHTETERORE, SOT NIS APLIKIMI I FORMULAREVE A1 DHE A1Z
Artikulli tjetërSamsung Galaxy S7 Edge, telefoni më i mirë i momentit