Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë me rreze të gjatë veprimi, duke vënë sërish në lëvizje komunitetin ndërkombëtar.

Peniani e lëshoi raketën me rreze të gjatë veprimi në 9 e 30 të mëngjesit, me orën lokale. Televizioni shtetëror në vendin komunist njoftoi se, Peniani ka hedhur me sukses në orbitë një satelit. Ndërkohë, kritikët thonë se, bëhet fjalë për një tjetër provë, këtë herë atë të një teknologjie të ndaluar raketore. I menjëhershëm ishte reagimi i Japonisë, Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kërkuan një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Seuli po përgatitet të diskutojë me Uashingtonin zhvendosjen e një sistemi të mbrojtjes antiraketore. Sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes në Korenë e Jugut, Ryu Je-Seung, sistemi “THAAD”, i konsideruar si një ndër më të avancuarit në botë, do të instalohet vetëm si kundërpeshë ndaj kërcënimit të Veriut komunist. Objektivi – sipas tij, – ishte hedhja e një sateliti në hapësirë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është i bindur se, e gjithë kjo sipërmarrje nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e maskuar për zhvillimin e një rakete balistike me rreze veprimi gati 9 mijë kilometra, e aftë të godasë qytetet e Shteteve të Bashkuara. Sipas BBC-së, një rezolutë e Kombeve të Bashkuara ia ndalon Penianit eksperimentet raketore, qofshin ato edhe për qëllime civile, nisur nga fakti që regjimi i atjeshëm e ndjek me këmbëngulje objektivin e zotërimit të armëve të shkatërrimit në masë.

Artikulli paraprakARRESTOHET NË TIRANË, AKSIDENTOI PËR VDEKJE NJË PERSON NË LAÇ
Artikulli tjetërZYRA E BE MBAN TAKIMIN MBI MIGRACIONIN DHE ARSIMIN