Federata Evropiane e Futbollit, do të vendosë sot nëse Kosova do të jetë anëtarja e 55 e kësaj organizate.

Tani po bëhet numërimi i votave në Kongresin e 40-të UEFA-s në Budapest. Kosovës i duhen të paktën 28 votat e 54 vendeve anëtare të UEFA-s ku votimi është i hapur dhe bëhet me ngritje dore ose të kartonit të votimit. Synimi i Kosovës, për t’u bërë anëtare e plotë e UEFA-s, shënoi një hap përpara në shtator të vitit të kaluar kur Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s, u pajtua që kërkesa zyrtare e Kosovës për anëtarësim, të vihet në rendin e ditës së kongresit të saj. Nëse kërkesa miratohet, atëherë Kosovës do të mund t’i mundësohej anëtarësimi i plotë në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA, në takimin e radhës që do të mbahet në Mexico City, me 12 dhe 13 maj. Nëse pritjet e Kosovës përmbushen, atëherë, ekipet e saj do jenë në gjendje të marrin pjesë në garat e UEFA-s, dhe ekipi i saj kombëtar mund edhe të pranohet në kualifikimet për Kupën e Botës në vitin 2018. Shorti për këtë është hedhur në Rusi në muajin korrik të vitit të kaluar, por Kosova potencialisht mund të shtohet në një nga grupet e Evropës. FIFA vendosi në janar të vitit 2014 që t’i lejojë Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Megjithatë ajo vendosi kufizime duke i ndaluar Kosovës që të luajë kundër ekipeve të vendeve që kanë dalë nga ish federata jugosllave. Po ashtu klubeve të Kosovës u është ndaluar të shpalosin simbolet kombëtare apo të intonojnë himnin shtetëror gjatë ndeshjeve. Serbia i është kundërvënë anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare që kur ajo shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008. Federata e Futbollit të Serbisë tha se do të luftojë deri në fund që të pengojë anëtarësimin e Kosovës ne UEFA.

Artikulli paraprakGRUSHTE NE PARLAMENTIN TURK, MES PRO DHE KUNDER ERDOGANIT
Artikulli tjetërVLLAZNIA, BARDULLA: 3 PIKË DO NA GËZONIN SHUMË NË KUKËS