Përveç dhimbjeve dhe pamundësisë për të lëvizur, Rexhep Gashi brengosej edhe për mbulimin financiar të trajtimit të tij. I shtrirë prej ditësh në Klinikën e Ortopedisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, 52-vjeçari ka këmbën e thyer dhe disa rruaza të shtyllës kurrizore të krisura. Ai u rrëzua derisa punonte në një skelë ndërtimi.

“Nuk e di se çfarë më ka ndodhur në atë moment. Isha shumë i lodhur. Mendoj se për shkak të lodhjes, edhe jam rrëzuar”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Shërbimet që mund t’ia ofrojë QKUK-ja i merr falas, ndërsa të tjerat duhet t’i mbulojë vetë. Kështu, ai pagoi një jelek për boshtin kurrizor, të cilin ia rekomanduan mjekët.

“Gjithçka është bërë e shtrenjtë… do të ishte mirë po të kishim sigurim shëndetësor nga shteti”, flet shkurt Rexhepi, pa dashur të japë më shumë detaje rreth pagesës që ka bërë.

Sikurse ai, pa sigurim shëndetësor, janë të gjithë qytetarët e Kosovës, përveç atyre që janë të siguruar përmes kompanive private, që ofrojnë sigurime të tilla. Ka 17 vjet që është miratuar një ligj për sigurime shëndetësore, por çështja është zvarritur vazhdimisht. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se një projektligj i ri tani “i ka kaluar fazat e konsultimeve publike” dhe se “grupi punues është në proces të inkorporimit të komenteve”. Se kur do të mund të përfitojnë qytetarët prej tij, nuk është ende e qartë.

Nevoja për sigurim shëndetësor
Në fillim të kësaj jave, kur REL-i ishte në QKUK, takoi edhe Hajriz Jonuzin, i lënduar po ashtu në vend të punës. Ai po e merrte veten pas një operacioni të gjatë që kishte pasur, për shkak të disa thyerjeve në trup. “E kam lidhur materialin në vinç dhe kur ai ka nisur të shkojë lart – unë nuk e kam shikuar më – është këputur dhe më ka rënë sipër”, tregon Hajrizi momentin kur është lënduar. Pa sigurim shëndetësor është edhe ai dhe thotë se ka shumë nevojë për të. Ai thotë se Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë – në bazë të të cilit punëdhënësi është i detyruar që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e të punësuarit që ka pasur lëndim në punë apo sëmundje profesionale – kryesisht nuk zbatohet. Dy punëtorët e lënduar, me të cilët bisedoi REL-i, konfirmuan se, deri më tash, nuk kanë marrë ndonjë kompensim nga punëdhënësi.

në 170 euro.

Artikulli paraprakPD KËRKON INTERPELANCË ME MANJËN
Artikulli tjetërBERISHA FTON PROFESIONISTËT E LIRË NË PROTESTË