Kryeministri Rama sulmon Kushtetuesen: Vonuan ligjin e Vetingut, s’kishin nevojë për Venecian

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar trupën e Gjykatës Kushtetuese se ka vonuar hyrjen në fuqi të ligjit të vetingut për reformën në drejtësi. Në një status në Facebook, kreu i qeverisë shqiptare thotë se Komisioni i Venecias shprehu sot mendimin e saj se vetingu është në përputhje me Kushtetutën. Sipas Kryeministrit, trupa e Gjykatës Kushtetuese nuk kishte nevojë për opinionin e “Venecias” në lidhje me vetingun, por kanë vonuar me qëllim ligjin që të hyjë në fuqi. “Askush nuk më bind dot se gjykatësit tanë kushtetues kishin vërtet nevojë për Opinionin e Venecias dhe nuk e bënin dot punën e tyre pa të! Ata kanë treguar se kur duan, dinë ta bëjnë më së miri detyrën e tyre në shërbim të Kushtetutës e të interesave të këtij vendi. Nuk u mungon as dija dhe as eksperienca”, shkruan Kryeministri. Nga ana tjetër, Edi Rama thotë se mazhoranca dhe qeveria do të vazhdojnë punën që ligji i vetingut të zbatohet sa më mirë në kuadër të reformës në drejtësi. “Në emër të të gjithë shqiptarëve që duan të njëjtën gjë, u bëj thirrje gjykatësve kushtetues të Republikës së Shqipërisë të na dorëzojnë sa më parë, vendimin e tyre për këtë ligj që hap rrugën e pastrimit të Pallatit të Drejtësisë! Uroj që Gjykata Kushtetuese të mos bëhet mburojë e të shkuarës që prej çerekshekulli mban peng drejtësinë në këtë vend, po të vendoset në anën e duhur të historisë”, shprehet Kryeministri Edi Rama.

Artikulli paraprakMIRATOHEN SHTESAT NË BUXHET PËR KUVENDIN, PRESIDENCËN, PARTITË
Artikulli tjetërSHQIPTARËT PAGUANIN 6- 10 MIJË EURO PËR TË HYRË NË BRITANI