Kryeprokurori i Leçes flet në Rai 3 për drogën dhe lidhjet me Shqipërinë “Është ulur interesi i autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar në luftën kundër drogës”

Në një prononcim për një emision të televizionit Italian, Rai 3, kryeprokurori i Leçes shprehet se autoritetet Shqiptare nuk janë shumë të interesuar për të bashkëpunuar në luftën kundër trafikut të drogës. Sipas tij, Shqipëria është furnizuesi kryesor i Italisë me lëndë narkotike. Emisioni Lindje Perëndim, i cili tranmetohet në televizionin Italian, Rai 3 ka vazhduar investigimin për sa i përket trafikimit të drogës dhe kultivimit të lëndëve narkotike në Shqipëri. Reportazhi nis me një prononcim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili thotë se kultivimi i drogës është ekonomia kryesore e Shqipërisë. Kreu i Opozitës shprehet se të ardhurat kryesore të Shqipërisë po orientohen kryesisht drejt ekonomisë së drogës. Por të kundërtën pretendon ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili thotë se Shqipëria nuk është vend problematik për sa i përket kësaj çështje. Këtyre deklaratave i përgjigjet kryeprokurori i Leçes, Kataldo Mota i cili thotë se Pulja është shndërruar në portën kryesore të hyrjes së drogës për në Europë. Më pas tregohet se në ditët e fundit në dy operacione të ndryshme janë arrestuar 6 persona dhe janë sekuestruar disa tonë drogë. Përsëri në një prononcim, Tahiri thotë se në kohën e qeverisjes të së djathtës ka pasur më shumë trafik droge drejt Italisë. Por kryeprokurori i Leçes nënvizon se këtë vit janë sekuestruar 3.8 tonë marijuana. Sipas tij trafiku i drogës nga Shqipëri për në Itali ka ardhur gjithmonë e në rritje në 5 vitet e fundit. Ai jep edhe një shpjegim për këtë. “Bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por tani është zvogëluar. Ndoshta është ulur interesi nga ana e autoriteteve shqiptare”, shprehet kryeprokurori i Lecces. Më pas vijojnë akuzat e Bashës, i cili thotë se defakto kultivimi i kanabisit është lejuar nga qeveria, pasi po mbledh para që do i përdorë për të blerë zgjedhjet e ardhshme. Kryeprokurori Mota përsëri i përgjigjet Tahirit në lidhje me kërkesën e tij për autoritetet Italiane për të parë kultivimin e drogës në Itali. Ai thotë se nëse Italia do prodhonte shumë drogë atëherë s’do lindte nevoja për të importuar. Mota thekson se Shqipëria është furnizuesi kryesor i Italisë me drogë. Ndërkohë, disa ditë më parë, televizioni Rai transmetoi një investigim të kryer në vendin tonë ku shfaqte një person i cili tregonte se policia është e përfshirë në kultivimin e drogës në Krujë.

Artikulli paraprakARRESTOHET SHQIPTARI NE ITALI.FSHIHTE KOKAINE NE PYLL
Artikulli tjetërPERFUNDON VOTIMI NE MAL TE ZI.SHQIPTARET ENDE TE PERÇARE