Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një video-mesazh për emigrantët të cilët kthehen në familjet e tyre për festat e fundvitit. Kurti, me anë të këtij mesazhi i ka lajmëruar ata se shkaku i paraqitjes së varianteve të reja të COVID-19, do të duhen të kufizohen në aktivitete dhe organizime.

“Edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet dhe grumbullimet. Si kryeministër, nuk kam detyrë më parësore sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë. Dhe e kam detyrë jo vetëm ndaj atyre që janë banorë të Kosovës, por edhe ndaj juve që po na vini nga larg”, tha Kurti.

Më vonë kryeministri u bëri apel emigrantëve se nëse nuk janë vaksinuar ende, ta kryejnë këtë proces në momentin që do të hyjnë në Kosovë.

“Nëse rastësisht nuk jeni vaksinuar atje, natyrisht se mund ta bëni këtë me rastin e hyrjes në Kosovë. Dhe të gjithë së bashku, të respektojmë në përpikmëri masat anti-COVID”, ka thënë Kurti.