Kryeministri i Kososvës, Albin Kurti ka deklaruar se pavarësisht deklaratave të Serbisë që këmbëngulte për zbatimin e Asociacionit si kusht i panegociueshëm, nuk ka lejuar se ky parakusht të jetë pengesë për zbatimin e marrëveshjes së përgjithshme. Në një intervistë për mediat e Kosovës, Kurti tha se pas takimit që kishte pasur në 18 gusht me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç së bashku me Borrell dhe Lajçak, u vendos që të nisnin bisedimet për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.

“Serbia gjatë vitit 2021 dhe 2022 ka insistuar tërë kohën që zbatimi i Asociacionit të jetë parakusht për të diskutuar për marrëveshjen, kjo ka përfunduar me datën 18 gusht. Më datën 18 gusht, në takimin që kemi pasur me Borrellin dhe Lajcak, njëherë bilateral e pastaj trelateral edhe me presidentin e Serbisë, përfundimisht u vulos që të fillojnë bisedimet për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes. Tri javë më vonë na vjen drafti i parë”- u shpreh Kurti. Ai theksoi se pas momentit që në draftin e parë formimi i Asociacionit kërkohej si parakusht për zbatimin e marrëveshjes, atëherë nuk e kishte lejuar dhe se për pasojë Serbia kishte hequr dorë nga kërkesa.

“Ai është momenti që unë assesi nuk kam lejuar që Asociacioni të jetë parakusht për marrëveshje sa i përket zbatimit, të jetë në preambulë apo nenet e para por gjithsesi vetëm në kuadër të atyre 39 marrëveshje, që unë dal kryeministër tërësisht joserioz nëse them se nuk janë bërë”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.

Më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiç pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian. Në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të pranuar parimisht gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

Artikulli paraprakRAMA REAGON MBI SHKELJEN E KODIT PËR RRITJEN E PENSIONEVE PARA ZGJEDHJEVE
Artikulli tjetërGJERMANIA JEP EDHE 12 MILIARDË EURO NDIHMË USHTARAKE PËR UKRAINËN