Në më pak se një vit dy efektivë nga radhët e FNSH-së së Shkodrës humbën jetën duke mbetur të vrarë në aksione.

I pari është Simon Gjeta. Në tetorin e vitit të kaluar, Gjeta u qëllua me kallashnikov në fshatin Oblikë të njësisë Ana Malit duke mbetur i vdekur në vend. FNSH pasi kishte marrë njoftim se shtetasi Ruzhdi Arishta ka qëlluar ndaj një fqinji të tij duke e lënë të plagosur kanë shkuar për ta arrestuar. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë tentuar të futen në banesë por Arishta u kundërpërgjigj menjëherë duke qëlluar në drejtim të efektivit Simon Gjeta i cili humbi jetën në mënyrë të menjëhershme. Të nesërmen forcat e RENEA e qëlluan për vdekje Ruzhdi Arishtën sepse nuk pranoi të dorëzohej e madje për një natë të tërë mbajti në akth me qindra forca policie. Arishta ishte një person që vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe shpesh ishte diagnostikuar. Ende pa u bërë një vit përsëritet thuajse e njëjta gjë. Efektivi Ardian Kodra mbetet i vrarë në një aksion në Torovicë të Lezhës teksa qëllohet nga një tjetër person që mendohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Pyetja që shtrohet është se a mban kush përgjegjësi për këto humbje jetësh në radhët e policisë. Si mundet që dy të sëmurë mendor të vrasin dy efektivë të FNSH. A heton Shërbimi Brendshëm mbi këto aksione që zhvillohen qoftë për vetë forcat e rendit të policisë por edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Si zhvillohen këto aksion? A ka plane që bëhen më përpara dhe a zbatohen të gjitha rregullat me përpikmëri? A merret parasysh shkalla e vështirësisë dhe rrezikshmëria e një të sëmuri mendor që jeton me iluzione? A mjaftojnë lulet e mortit apo vizitat e drejtuesve të lartë, a mjaftojnë dy fjalë në facebook apo edhe keqardhja, homazhet dhe një pension i veçantë për familjet? Pyetje të cilave askush nuk i jep përgjigje ndërsa çdo vit efektivë të ndryshëm mbesin të vrarë në aksione.

Artikulli paraprakEFEKTIVI KODRA MUND TË KISHTE SHPËTUAR
Artikulli tjetërMBLEDHJA NË FSHF: “LORO BORIÇI” I PAPËRFUNDUAR