Në mbyllje të seancës së fundit plenare për këtë sesion parlamentar, Edi Rama mblodhi deputetët socialistë për drekë. Ndryshimet në qeveri të paralajmëruara për shtator duket se janë harruar dhe kryeministri nuk i kishte përmendur.

Por deputetët janë paralajmëruar për mundësinë e një seance të jashtëzakonshme në gusht, me shpresën e gjetjes së një konsensusi me të paktën një pjesë të opozitës përsa i përket Shkollës së Magjistraturës, apo për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Një indicie e dha në seancën e fundit edhe vetë Gramoz Ruçi: “Nëse do të duhet që të thërritet Kuvendi për Gjykatën Kushtetuese apo për Gjykatën e Lartë, do të thërritet”.

Edhe nëse Parlamenti rimblidhet për t’iu gëzuar një konsensusi qoftë edhe të pjeshshëm, bilanci i këtij sesioni do të ishte bindshëm në favor të konfliktit. Si një përjashtim i këtij rregulli ngjan miratimi i ligjit për vettingun në Polici që mori edhe votat e LSI-së.

Konflikti që mbizotëroi këtë sesion u paralajmërua që në mbyllje të sesionit të kaluar, kur mazhoranca votoi mes tymueseve dhe vezëve Arta Markun si Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme.

E njëjta klimë vazhdoi me rifillimin e punimeve në janar. Protesta dhe bllokimi i foltores u bë i përjavshëm duke u kthyer në normalitet, ndërsa nuk munguan as konfrontimet.

Në drejtim të qeverisë u hodh shumëçka. Çizmja dhjetoriste e Monika Kryemadhit u pasua nga mielli, lëshimi i kartonëve, mbeti në tentativë fluturimi i ekraneve… Një herë mori zemër të kundërpërgjigjej Ditmir Bushati, por u pendua e kërkoi ndjesë.

Ky ishte sesioni parlamentar ku ndërprerjet e seancave zgjatën më shumë se vetë seancat, por opozita gjeti një formë të re komunikimi aty ku media nuk lejohej: fjalimet nga Facebook-u.

Nën regjinë e Lulzim Bashës nuk munguan as inskenimet, nga peshqit e mëdhenj te Toyota Yaris që shkarkonte milionat në Kuvend. Teatri parlamentar sfidoi kështu Teatrin Kombëtar, të cilin me ligj e çoi drejt prishjes.

Artikulli paraprakNAPOLI I OFRON KONTRATË TË RE ELSEID HYSAJT
Artikulli tjetërZJARRET NË GREQI, MES TË ZHDUKURVE EDHE AKTORJA E NJOHUR ME BASHKËSHORTIN