Nuk është një zonë lufte. Është lagjia “Guerrile” në qytetin e Shkodrës.

E ndodhur shumë afër pjesës së qytetit, kjo zonë me apo pa dashje është lënë si e shkëputur. Dikur e pabanuar në 25 vitet e fundit është kthyer në një zonë të mbipopulluar. Me mijëra vetë të ardhur kryesisht nga zonat e thella malore apo edhe pjesë ku mungon zhvillimi janë vendosur aty me shpresën se duke qenë afër Shkodrës do të kenë një të ardhme e jetesë më të mirë. Për vite me radhë kanë ndërtuar jetët e tyre e ndërsa tashmë janë integruar duke u shkolluar por edhe duke qenë taksapagues të rregullt. Edhe pse është një lagje si të gjitha të tjerat e qytetit të Shkodrës, në “Guerrile” atij komuniteti i është ofruar shumë pak. Akset rrugore kudo në atë zonë ndodhen tërësisht të amortizuara. Rrugët edhe tani në verë kur nuk ka reshje shiu kalimi është i vështirë nga gropat e mëdha. Janë mjaftuar me shtrimin e asfaltit vetëm në hyrjen e vendit të ashtëquajtur Zooteknika. Sapo përfundon ai aks, e gjitha zona nuk ka askund asfalt. Në fakt në gjithë këto vite premtimet për ta kanë qenë të shumta në fushata elektorale por ende asgjë nuk është bërë. Përveç segmenteve që ndodhen në një gjendje aspak të mirë, ne pjesë të ndryshme mbeturinat nuk pastrohen për ditë me radhë duke mos e vrarë aspak mendjen se në temperaturat e larta mund të rrezikohet edhe përhapja e epidemive. Pak më tutje gjendet një kanal i cili është i mbushur me ujërat e zeza, sërish një rrezik për shëndetin e banorëve. Për të mos folur për gjendjen ekonomike dhe papunësinë e madhe që ekzsiton atje apo edhe indiferentizmin për vite me radhë nga pushteti lokal që veç premtimeve në 25 vite nuk ka bërë asgjë tjetër.

Artikulli paraprakBY PASS-I “LANDFILL” MBETURINASH, RREZIK PËR BANORËT E “ZOOTEKNIKËS”
Artikulli tjetër“MARK LULA”, TROTUARET MBULOHEN NGA SHKURRET