Është ndarë nga jeta në moshën 94 vjeçare Haxhi Hafiz Musa Hoxha i cilësuar si i fundit i nxënësve të përkushtuar të hoxhallarëve të vjetër të Shkodrës. Që në një moshë të vogël iu përkushtua fesë dhe besimit në Zot e po ashtu që herët shërbeu si imam për të vijuar kontributin e tij deri në ditën e fundit kur ndërroi jetë. Hafiz Musa Hoxha lindi në fshatin Babot të Anës së Malit në Shkodër në vitin 1926.

Në autobiografinë e tij, ai tregon për: “16 vitet e rinisë së tij dhe ditët e saj të mbushura me ecejake dyerve të hoxhallarëve të njohur të Shkodrës si: H. Muhamed Bekteshi, H. Esat Myftija, H. Ibrahim Kaduku, H. Smajl Abdia i Tepes, etj., tek të cilët mori mësimet e para të fesë, besimit dhe librit të shenjtë të Kur’anit. “Te Haxhi Muhamed Bekteshi ishim 30 vetë. Na thoshte se deri më sot kishte nxjerrë tri breza. Me kulturën që na ka dhanë ai, nuk mund t’i dalim kurrë hakut, kaq Hoxhë i naltë ka kenë.

Na ka mësu me pasë frikë Zotin, me pasë karakter feje, jo m’u mburrë me diploma!”, shkruan në kujtime e tij Hafiz Musa Hoxha. “Në moshën 14 vjeçare kam shkuar imam për të parën herë në jetë. Ndonëse i padekretuar, kam shërbyer 30 netë teravi, në fshatin Milan. Pastaj, në vitin 1945 e 1946 kam shku Imam në Reç dhe për dy vjet i kam mësu edhe fëmijët”.

Duke treguar për kujtimet e periudhës komuniste dhe ndalimin e fesë, thotë: “Katër kintal qitabe m’i kanë marrë, megjithëse jam mundu me i fshehë disa, por pjesa më e madhe është zhdukur. Hoxhallarët e Shkodrës më kanë dashur fort dhe më kanë dhuruar libra. Kur vdiq Hafiz Jusuf Këlmendi në 1943 librat e tij më erdhën dhuratë nga disa persona edhe pse hoxhën e nderuar se kam njohur.

Kur m’i dogjën librat e bibliotekës, njitu para fshatit, arrita të shpëtoj disa copa. U thoja njerëzve: M’i merrni pjesët e librave… Më ndihmoni t’i shpëtoj librat e mi..! Kështu i kam ruajtur copa-copa, për mos me i harru..!”. “Kurrë nuk kam pi alkool, edhe pse na kanë sprovu shumë në periudhën e vështirë të ndalimit të fesë… Të gjitha xhenazet e Anës së Malit i kam vendú fshehtaz, në orë të vona të pasmesnatës, në borë e në shi, në dimër e në verë… Kisha frikë se dikush do na padiste, por na ka rujtë i Madhi Zot… Durim të madh kemi ba… Sepse vetëm me durim kalohen sprovat e jetës!”.

Ai kujton me shumë emocion procesin e hapjes së xhamisë së parë, në nëntor të vitit 1990: “Kur u hap feja, Hafiz Sabri Koçi më çoi fjalë me ardhë në xhaminë e Plumbit. Për tri javë rresht kam këndu Kur’an në xhami të Plumbit, ashtu si dikur”. I pyetur nga myftiu i Shkodrës imam Muhamed Sytari se çfarë mungon sot, Haxhi Hafiz Musa Hoxha do përgjigjej duke thënë se “Ngrihet dituria, shtohet injoranca. Sot mungon frika e Zotit dhe forca e besimit”.

Artikulli paraprakBËHEN PRINDËR PAS 15 VITESH, ÇIFTI I VË BINJAKËVE EMRIN E DY POLITIKANËVE KOSOVARË
Artikulli tjetërGËSHTENJAT PO THAHEN PLOTËSISHT, ADEMI THIRRJE MINISTRISË