Lirimi i masave kufizuese ka sjellë një rritje të vrullshme të kërkesave për azil në vendet e bashkimit europain, në krahasim me një vit më parë. Sipas një raporti të Eurostat, kërkesat për azil janë rritur me mbi 21%, ndërsa fluksi më i madh i tyre është për në Gjermani e Francë.

Me 100,240 kërkesa për azil nga janari deri në shtator 2021, Gjermania është në krye të vendeve të BE-së, në të cilat njerëzit kërkojnë mbrojtje nga persekutimi. Në vend të dytë vjen Franca me 73,255 kërkesa për azil. Këto shifra u publikuan në një raport të Agjencisë Statistikore të BE-së, Eurostat. Sipas mediave numri i kërkesave për azil në Gjermani është rritur me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shumica e azilkërkuesve vijnë nga Siria pasuar nga Afganistani dhe Iraku. Interesante janë edhe shifrat e kërkesave të pranuara për azil. Midis korrikut dhe shtatorit 2021 në BE janë marrë gjithsej 115,025 vendime për kërkesa për azil, shumica e tyre në Gjermani dhe Francë.

Por ndërsa në Gjermani nga 29,970 kërkesa 16,300 janë pranuar, në Francë nga 33,325 kërkesa janë miratuar vetëm 9.425. Vitin e kaluar numri i azilkërkuesve ra ndjeshëm në të gjithë Evropën, kryesisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Para pandemisë, në vitin 2019, numri i azilkërkuesve ishte 612.000 vetë.

Artikulli paraprakIGJEUM, RREZIK PËRMBYTJE NË SHKODËR
Artikulli tjetërRRITET NDJESHËM NUMRI I VIKTIMAVE NGA COVID-19 NË VEND, REGJISTROHEN…