Listat, Basha marrëveshje me Mediun e Dukën, Spahiu jashtë

 

E ndërsa duhen edhe pak orë nga mbyllja e afatit për dorëzimin e listave, burime për Report Tv pohojnë se Lulzim Basha ka arritur marrëveshjen me aleatët, përveç Kreshnik Spahiut. Pas disa takimeve dhe negociatave gjatë gjithë ditës së sotme, Basha në fund ka arritur marrëveshjen me Fatmir Mediun, ndërsa përpos Partisë Republikane ka akord edhe me PAA, e Agron Dukës. Sipas burimeve PD, Basha ka futur tre emrat të PAA në lista, në Tiranë, Fier dhe në Durrës, por ende mbetet për t’u parë nëse të gjithë janë në lista fituese. PR dy kandidatë në Tiranë, që sipas burimeve do të jenë në listat fituese, Ndoka një në Shkodër, Shehi një në Tiranë, Dule një mandat në Vlorë. Kreshnik Spahiu ka mbetur jashtë listave të PD. Pas regjistrimit në KQZ, kreu republikan, Fatmir Mediu zhvilloi dy takime me Lulzim Bashën në përpjekje për të gjetur një kompromis mes dy aleatëve opozitarë. Takimi i parë zgjati rreth 30 minuta, por nuk prodhoi asgjë, por takimi i dytë rezultoi me sukses, pasi palët arritën marrëveshjen. Kërkesë e Mediut ishte përfshirja e 3 deputeteve të PR në zonë të sigurt të listave të PD, konkretisht në qarqet Tiranë, Vlorë dhe Fier. Por një gjë e tillë nuk u pranua herën e parë, ndërsa në takimin e dytë u arrit marrëveshja, por nuk dihet përmbajtja e saktë e marrëveshjes. E njëjta gjë është edhe për aleatin tjetër, Agron Dukën e PAA. Përsa i përket aleatëve të tjerë, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Nard Ndoka i PDK-së do të jenë përkatësisht i pari në Qarkun e Tiranës dhe i dyti në atë të Shkodrës, Vangjel Dule në Vlorë. Nuk ka marrëveshje mes PD dhe Kreshnik Spahiut të Aleancës Kuqezi për listat e deputetëve në zgjedhjet e 25 qershorit. Kryetari i Aleancës Kuqezi deklaroi pas takimit me Bashën se kryetari i PD e kishte thyer besën e lidhur në çadër, ndërsa i ka dhënë një orë afat për reflektim. Kreshnik Spahiu paralajmëroi se nëse nuk arrihet marrëveshja me PD, që ai të futet në listat e kandidatëve për deputetë do të largohet nga politika. Sot ishte dhe afati i fundit që PD-ja të dorëzonte listën me kandidatët e saj për zgjedhjet e 25 qershorit.

Artikulli paraprak15 VJEDHJE NË 1 JAVË, POLICIA GJERMANE NË KËRKIM TË SHQIPTARIT TË RREZIKSHËM
Artikulli tjetërSHKODËR, SHPALLET LISTA E KANDIDATËVE PËR DEPUTET TË PD