Mali i Zi, Rama: Në tetor mbledhje e përbashkët e dy qeverive

Kryeministri Rama këtë të hënë ndodhet për një vizitë zyrtare në Mal të Zi. Shefi i qeverisë u prit me nderime në Podgoricë nga homologu malazez, Dushko Markoviç. Më pas dy kryeministrat zhvilluan një takim dhe më pas edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri malazez ka falënderuar Ramën për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën euro-atlantike të vendit. “Nuk ka çështje të hapura mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Do të mbajmë mbledhjen e përbashkët të qeverive në tetor. Dy vendet tona gëzojnë marrëdhënie të mira. Ne i përkasim botës së vendeve të lira”, shtoi Markoviç. Diskutimet u fokusuan edhe në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, veçanërisht në bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Në këtë vizitë, Rama shoqërohet nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati, i cili gjithashtu pati një takim me homologun Srdan Darmanoviç. Vendi fqinj është pranë hyrjes në NATO, pasi senati amerikan ratifikoi protokollin e anëtarësimit dhe pritet firma e presidentit Trump.

Artikulli paraprakPAS DARKËS ME RAMËN, META DREKON PËR DY ORË ME IDRIZIN
Artikulli tjetërGODITET LINJA E DROGËS SHQIPËRI-GREQI, KAPEN 210 KG KANABIS