Masat ndëshkuese të cilat janë vënë nga Bashkimi Evropian në qershorin e vitit 2023, janë shndërruar në kryefjalë në diskursin politik në Kosovë, meqë si rezultat i aplikimit të tyre, dëmet e shkaktuara në ekonominë e vendit- e veçmas në nivelin lokal, përllogariten të jenë qindra milionëshe. Arsimi, menaxhimi i mbeturinave, trajtimi i ujërave të zeza, përfshirë edhe segmentet tjera të ‘ekonomisë qarkore’, si riciklimi dhe përpunimi i mbetjeve, llogariten të jenë disa nga fushat që kanë pësuar më së shumti humbje për shkak të bllokimit të projekteve që zakonisht mbështeten nga Bashkimi Evropian. Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se pasojat që u janë shkaktuar komunave të Kosovës për shkak të mbetjes në fuqi të masave të BE-së ndikojnë drejtpërdrejtë në vështirësimin e jetës së qytetarëve. Ibrahimi shpreh shqetësimin që përpos rënies së investimeve kapitale të drejtpërdrejta nëpër komuna, ka rënie të dukshme edhe në investimet e tërthorta që bëhen përmes organizatave jo-qeveritare e të cilat kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve.

“Prej fillimit të masave e kemi këtë problem, sepse komunat kanë shpresuar se do t’i marrin fondet prej Bashkimit Evropian. Tash ka edhe projekte që realizohen përmes organizatave të ndryshme me fonde të Bashkimit Evropian, si për shembull ngritja e kapaciteteve apo zhvillimi i turizmit, por tash as ato nuk po mund të zbatohen”- thotë Ibrahimi.

Ndonëse nuk jep shifra specifike, Ibrahimi pohon se humbjet e komunave nga aplikimi i masave janë milionëshe. “Janë miliona euro në pyetje që komunat kanë shpresuar se do t’i marrin nga fondi i Bashkimit Evropian”, thekson Ibrahimi. Duke vlerësuar se edhe ashtu buxheti i komunave është i mangët, ai thotë se humbja e fondeve e ka rënduar edhe më shumë gjendjen për shkakun se Bashkimi Evropian është donatori më i madh i tyre.

“Duke marrë parasysh që veç 24 për qind të buxhetit total të shtetit e kanë komunat, normalisht që ato kanë nevojë për fonde nga Bashkimit Evropian. E duke marrë parasysh që donatori më i madh tash mungon, padyshim se do të ketë ndikim në mospërmirësimin e jetës së qytetarëve”, shprehet Ibrahimi.

Një hulumtim i KALLXO.com i publikuar në fund të vitit 2023, nxori në pah se komunave të Kosovës edhe pse u është rritur buxheti për vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 për 82 milionë euro, megjithatë mbi 80% e kësaj rritjeje ka shkuar në paga dhe mëditje, duke mos reflektuar në investime kapitale. Rreth 300 milionë euro vlera e projekteve të pezulluara Shifrat e përafërta të humbjeve që Kosova ka pësuar nga masat e BE-së i jep Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari i OEK-ut, Lulëzim Rafuna tregon se deri më tani sipas të dhënave që posedojnë, vlera e projekteve që janë bllokuar si rezultat i masave të vendosur nga Bashkimi Evropian është rreth 300 milionë euro.

“Por, keni parasysh që kjo shumë shkon duke u rritur për shkak të projekteve të reja që është dashur të vinë në Kosovë në muajt e ardhshëm. Shtoni këtu edhe mjetet të cilat mund të merren nga fondet e ndryshme të BE -së. Me të vërtetë ky është një dëm i madh material- financiar”, thotë Rafuna.

Njëjtë si Ibrahimi edhe ai vlerëson se projektet që kanë humbur që gati një vit kanë qenë projekte kapitale, dhe si të tilla ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Investimet kapitale janë projektet që i kryejnë institucionet për zhvillimin e vendit. Disa nga shembujt mund të jenë shtrimi i rrugëve, ndërtimi i spitaleve e ambulancave, krijimi i parqeve apo edhe projekte të llojeve të tjera. Sipas Rafunës, pothuajse të gjitha komunat e mëdha të Kosovës pësojnë nga bllokimi i fondeve, por më se keqi e pëson Kosova si shtet. Bashkimi Evropian ka vënë masat ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor 2023 kur shpërthyen tensionet në komunat veriore të banuara me shumicë serbe. E, një zhbllokim i tillë nuk po parashihet të ndodhë pa u mbajtur zgjedhjet e reja në këto komuna. Si datë për votimin e shkarkimit të kryetarëve aktual në katër komunat në veri të vendit, KQZ-ja e ka caktuar 21 prillin 2024. Përveç pezullimit të financimit të programeve të Bashkimit Evropian dhe mosmiratimit të projekteve nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor, këto masa kanë bërë që të pezullohet puna e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe të pezullohen takimet e niveleve politike, përveç atyre që lidhen me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Artikulli paraprakPRESIDENTI BEGAJ VIZITË NË KOMANDËN STRATEGJIKE TË NATO-S PËR OPERACIONET
Artikulli tjetërDITA NDËRKOMBËTARE E GRUAS, VOKSHI: SHQIPËRIA PO PËRBALLET ME NJË REALITET TË TRISHTË