Mbi 33 mijë maturantë, i nënshtrohen provimit të parë të maturës shtetërore këtë të enjte, atij të gjuhës së huaj. 31667 nxënës do të hyjnë për herë të parë në provimet e Maturës Shtetëore ndërsa 2 mijë janë nxënës që kanë ngelur në provime vitin e kaluar. Ndërkohë që nga 33 mijë, 8 mijë nxënës janë vetëm në qarkun e Tiranës.

Provimi nis në orën 10:00 dhe mbyllet në 12:30, pra nxënësit kanë në dispozicion për të plotësuar të gjitha pyetjet 2 orë e 30 minuta. Përpara se të hyjnë në provim nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e testimit, 1 orë e 30 minuta para dhe me mjet identifikues me vete si dhe mjetet shkollore të nevojshme.

Gjithsej janë 60 pyetje për tu plotësuar dhe për të kaluar një nxënës, duhet të marrë minimumi 25 % të pikëve, pra mbi 15 pikë. Pyetjet janë ndërtuar në bazë të një fondi pyetjesh dhe të bazuara në ato që janë mësuar në 3 vite. Mësuesit që kanë ndërtuar pyetjet janë ngujuar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore për disa ditë në mënyrë që të shmanget përhapja e kopjeve.

Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale. Në klasa do të jenë 15-20 nxënës, në varësi të klasës, ndërsa kushtet do të jenë strikte. Mjediset do të jenë në dispozicion për 150 nxënës, si dhe distanca mes nxënësve do jetë 120 cm. Ndërkohë, nëse maturanti kapet me telefon, kopje, duke ndryshuar vendin e caktuar, duke marrë dhe dhëne informacioneve, refuzon kontrollin dhe prish qetësinë, do të penalizohet dhe do shkojë për vjeshtë.

Ndërkohë politika të forta do të ketë edhe pasi maturanti të ketë mbaruar provimin. Nuk do ti njihet nëse ka dëmtuar barkodin identifikues, nëse është marrë masë përjashtimi për të apo ka përdorur lapsa me ngjyra.

Për mbarëvajtjen e provimit, janë angazhuar 7 mijë mësues administrues, jo të shkollave të mesme, si dhe janë vënë në dispozicion në të gjithë Shqipërinë, 167 qendra testimi, ku 31 janë vetëm në kryeqytet. Provimet e maturës që nisin sot me datë 9 qershor me gjuhën e huaj, do vijojmë me Gjuhën shqipe dhe Letërsinë me 11 qershor, matematikën me 17 qershor, dhe 24 qershor lëndën me zgjedhje, ku më të preferuarat janë qytetaria dhe psikologjia. Kjo nënkupton që nxënësit janë prirur më tepër drejt lëndëve shoqërore.

Për sa i përket përgjigjes së provimeve, afati për të dalë është deri me 30 qershor, në mënyrë që të gjithë ato nxënës që duan të studiojnë jashtë vendit tek kohë për plotësimin e dokumenteve.

Për të transportuar materialet e testimit, janë angazhuar Ministria e Arsimit, Ministria e Brendshme, dhe Posta Shqiptare. Ndërkohë që materialet në qendrat e testimit janë paraqitur 2 orë përpara nisjes së provimit.

Artikulli paraprakHOROSKOPI PËR DITËN E SOTME
Artikulli tjetërSOT KUVEND/ DEPUTETJA INA ZHUPA KËRKON INTERPELANCË ME MINISTREN E KULTURËS