Asambleja e Përgjithshme Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi është mbajtur ditën e sotme në Tiranë. Gjatë punimeve të kësaj asambleje ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi se Shqipëria ka vullnet të palëkundur për të dhënë kontributin e vet në të mirë të paqes, sigurisë dhe prosperitetit social e ekonomik.

“Këtë vit Tirana ka qenë qendër e një sërë takimesh e veprimtarish politike e diplomatike me peshë ndërkombëtare, të cilat janë shprehje elokuente e rolit proaktiv dhe konstruktiv që vendi ynë luan sot në rajon e më gjerë”,-është shprehur Hasani.

“Mbledhja e sotme përbën një vlerë të shtuar dhe shpalos bindshëm profilin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për të dhënë kontributin e vet në të mirë të paqes, sigurisë dhe prosperitetit social e ekonomik: të gjithë atyre vlerave që na përafrojnë me bashkësinë e vendeve demokratike në kontinentin tonë demokracia, pluralizmi, shteti i së drejtës dhe të drejtat e njeriut”,-shtoi ai.

Hasani çmoi lart ndihmesën e Kuvendit të Shqipërisë dhe delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të BEDZ-it për të thelluar e çuar më tej bashkëpunimin ndërparlamentar në rajonin e Detit të Zi, si dhe për të përballuar me sukses sfidat aktuale me të cilat përballen vendet e popujt e këtij rajoni.

“Bashkërendimi i frytshëm i punës së kryesisë shqiptare të BEDZ-it me Asamblenë Parlamentare u shndërrua në katalizator për shtjellimin dhe diskutimin e një spektri problematikash që prekin çështje me rezonancë të gjerë. Kjo mundësoi një sinergji pozitive dhe efikase mes strukturave të Organizatës për zhvillimin e suksesshëm të një sërë aktivitetesh, duke përfshirë edhe të sotmin”,- tha Hasani.

Artikulli paraprakBERISHA NË MASË ARRESTI, ISH-EURODEPUTETI I CDU I SHKON NË SHTËPI
Artikulli tjetërPO NDËRTONTE DYQAN PA LEJE, ARRESTOHET 58 VJEÇARI