Në Shkodër u zhvillua aktiviteti kulturor dhe fetar “Mbrëmje Salavatesh”, organizuar nga Myftinia Shkodër. Besimtarë, përfaqësues institucionesh, shoqatash dhe nxënës të Medresesë u bënë pjesë e një mbrëmjeje me ligjërata, recitime, ilahi dhe salavate kushtuar figurës dhe mesazhit të Profetit Muhammed.
Aktiviteti nisi me leximin e një pjese kur’anore, ndërsa më pas teologu Altin Loshi bëri hapjen e mbrëmjes, duke vënë theksin te rëndësia e tubimeve fetare dhe mesazhet që përcillen përmes tyre.

Në vijim, programi solli edhe një element të veçantë të trashëgimisë kulturore. Nxënëset Erisa Et’hemi dhe Eralda Mehja recituan pjesë të botuara në revistën “Zani i Naltë” në vitin 1932, kushtuar lindjes së Profetit Muhammed. Recitimet u pasuan nga interpretimi i ilahive nga vëllezërit Deniz dhe Menduh Allajbeg nga Prizreni.
Në qendër të aktivitetit ishte ligjërata e Hoxhë Besim Lumës nga Tetova, i cili foli mbi rëndësinë e salavatit dhe vendin që ai zë në praktikën dhe traditën islame.

Aktiviteti u mbyll me një tjetër element edukues. Në bashkëpunim me Fondacionin “Mirësia”, të pranishmit patën mundësi të njiheshin me botime mbi jetën e Profetit Muhammed, ndërsa përmes teknologjisë VR 360 gradë u prezantuan materiale mbi historinë e Mekës dhe Hixhretin.
Programi tërhoqi veçanërisht vëmendjen e fëmijëve dhe të rinjve, duke ndërthurur përmbajtjen fetare me elemente të teknologjisë dhe edukimit kulturor.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSHKODËR, POLICIA RRUGORE 1253 MASA ADMINISTRATIVE GJATË NJË JAVE
Artikulli tjetër“GEGNISHT” NË SHTËPINË E KOLË MJEDËS