Alvini rikthehet në shtëpi. Merr fund vuajtja dhe ankthi për vogëlushin shqiptar Alvin Berisha, që mëngjesin e sotëm është bashkuar mes lotësh dhe emocionesh me familjen, babanë dhe dy motrat që po e prisnin në aeroportin e Romës.

11-vjeçari iu dorëzua familjes nga punonjësit e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe. Më pas Presidenti i Kryqit të Kuq Italian, përfaqësuesi i Gjysmë Hënës së Kuqe Siriane, zyrarët italianë dhe ministri Sandër Lleshaj treguan në një konferencë për mediat detajet e operacionit si u arrit që të nxirrej fëmija shqiptar nga kampi.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga Roma ku ishte i pranishëm në momentin që Alvini iu dorëzua familjarëve u shpreh se rasti i 11-vjeçarit është një mesazh që terrorizmi dhe dhuna nuk duhet të ketë hapësirë në shoqërinë tonë.

Francesco Rocca, President i Kryqit të Kuq Italian gjatë fjalës së tij theksoi se në shpëtimin e Alvinit ka luajtur një rol thelbësor, Gjysmë Hëna Siriane dhe vullnetarët kurdë, që e nxorën fëmijën nga kampi.

“Është krijuar rrjeti i domosdoshëm që gjithcka të shkonte mirë dhe arritëm këtë rezultat të jashtëzakonshëm.

Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna u koordinuan në terren. Dua të them dicka, unë e dija kapacitetin e Gjysmë Hënës. Ne bëmë edhe konfirmimin që fëmija mund të ishte në kamp. Kur e mësuam zyrtarisht praninë e tij në kamp e nisëm operacionin. Pjesa më e vështirë ka qenë që nuk duhet të merrej nga drejtuesi vesh se fëmija po e linte kampin, pasi ka ende prezencë radikale.

Më bëri më shumë përshtypje, kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp. Ai reagonte në gjithcka që ishte e re për atë. Ka edhe tre fëmijë të tjerë jetim që ndodhen në kamp në moshën e Alvinit. Tani edhe fëmijë të tjerë mund të largohen nga kampi. U nisëm në një moment kur të gjitha rrugët në Bejrut ishin të bllokuara”

Kater dite me pare vogelushi Alvin Berisha u nxor nga Kampi Al-Hol ne Siri.Para dy netësh 11-vjeçari shqiptar u transportua në Damask, ndërsa ditën e djeshme në ambasadën italiane në Liban dhe sot u bashkua me familjen në Romë. Operacioni për shpëtimin e Alvinit u krye nga Gjysmë Hëna e Kuqe siriane dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ndërkohë që kanë qenë në kontakt me autoritet italiane dhe ato shqiptare të niveleve më të larta.

Artikulli paraprakTORNADO PRANË BRIGJEVE DETARE TË GENOVAS, IMAZHET IMPRESIONUESE SHPËRNDAHEN NË RRJETET SOCIALE
Artikulli tjetërVONESAT E PAGAVE TË MËSUESVE, REAGON PD SHKODËR