Më 21 korrik Partia Demokratike do ta votojë në parim draftin kushtetues të reformës në drejtësi.

Kështu ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha pas një takimi të zhvilluar këtë paradite me kryetarin e LSI, Ilir Meta. Në prononcimin e tij për mediat, Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se ka shkelur marrëveshjen e arritur në takimin trepalësh një ditë më parë. “Rama shpalli axhendën për përjashtimin e Partisë Demokratike. Kjo është një përpjekje për të mos lejuar PD të bashkojë votat për votimin e reformës”, ka deklaruar Basha. Pasi ka falenderuar Ilir Metën “për rolin konstruktiv në këtë vendimmarrje”, ai ka paralajmëruar se, “PD më 21 korrik do të votojë në parim draftin kushtetues të reformës”. “U kuptua kush e do konsensusin për reformën në drejtësi dhe kush nuk e do. Nëse kjo çështje nuk zgjidhet sot, bashkë me Metën do ta zgjidhim në Bruksel”, ka thënë Basha. Në linja të ngjashme është shprehur pak minuta më vonë edhe vetë kreu i Kuvendit, i cili ka deklaruar se palët janë shumë pranë marrëveshjes. “Jemi shumë pranë marrëveshjes. Falenderoj zotin Rama dhe zotin Basha, sepse janë mjaft konstruktivë pavarësisht retorikave dhe besoj se janë plotësisht të angazhuar për miratimin e reformës me konsensus dhe sipas Venecias”, ka thënë Meta. Pasi ka falenderuar ekspertët vendas e ndërkombëtarë që bashkëpunuan në këtë proces, kreu i LSI ka dhënë garancinë e tij se seanca parlamentare e së enjtes do të ketë një rezultat pozitiv. “Ditën e enjte Kuvendi do të fillojë me këtë çështje madhore dhe dua të siguroj Uashingtonin dhe Brukselin zyrtar se pavarësisht retorikave këtu, Republika e Shqipërisë do të hedhë një hap të vërtetë madhor në historinë për dekadat që vijnë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit vetëm përmes konsensusit dhe sipas Venecias”, ka pohuar Meta. Ai ka ritheksuar se, “korrupsioni nuk luftohet as me korrupsion e as me krim të organizuar”. “Që do të thotë se të enjten në orën 10 Kuvendi fillon dhe nuk mbaron pa u miratuar kjo reformë, siç i takon një vendi të NATO-s”, ka thënë Meta. Në këtë takim Basha shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka. Ndërsa Meta nga nënkryetari Petrit Vasili dhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Artikulli paraprakBASHA TAKOHET ME METEN: DO TA SHPARTALLOJME RAMEN PER KOMPLOTIN
Artikulli tjetërRAMA: ALEANCA DO TE MIRATOJE NE BLLOK REFORMEN