Presidenti Ilir Meta dekretoi sot (9 gusht) kthimin në kuvend të koncesonit për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”

Kreu i shtetit nënvizon se kontrata rriskon seriozisht buxhetin e shtetit dhe ekonominë e familjeve shqiptare, pasi nuk ka një vlerësim të qartë ekonomik. Nuk ka studim fizibiliteti të plotë dhe ministria e Financave as ajo e Energjisë nuk ka dhënë miratimin e këtij projekti.

Ligji i kthyer “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)” mban nr. 51/2019.

Më tej presidenti nënvizon se Këshilli i Ministrave ka nënshkruar dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë kontratë koncesionare, që pretendohet të miratohet me ligjin nr. 51/2019, në kushte të rënda paligjshmërie dhe në dëm të interesave të qytetarëve.

Argumentet e kthimit
Në argumentet ligjore kreu i shtetit nënvizon se Ligji nr. 51/2019 dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës.

1- Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik;

2-Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi jotransparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore konkrete për negocimin e kushteve materiale të saj;

3-Mungesa e një vlerësim të qartë ekonomik, krijon rrezik për cenim të financave të shtetit dhe interesin publik;
4-Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë;
5-Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces;

6-Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit dhe ekonominë e familjeve shqiptare, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit;
7-Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit.

8- Presidenti i Republikës gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.

Dje ktheu koncesionin Milot-Balldren. Ky është ligji i 4-të që kreu i shtetit kthen brenda javës.

 

Artikulli paraprakLIROHEN RRETH 3600 M2 PLAZH NË HIMARË, POGRADEC E DURRES, PROCEDOHEN 4 ZYRTARË BASHKIAKË
Artikulli tjetërAKSIDENT NË FIER, “BMW” ME SHPEJTËSI PËRPLAS MAKINËN E PARKUAR