8 gushti i vitit 1991, plot 31 vite më parë shënon momentin kur rreth 20 mijë shqiptarë në bordin e anijes ‘Vlora’ për tu nisur drejt Italisë.

Në vitin e sakrificës, aso kohe, Italia konsiderohej si Amerika për shqiptarët.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta kujton këtë episod në historinë e vendit tonë duke e lidhur me emigrimin e shqiptarëve në masë, edhe pas gjithë këtyre viteve.

Pas 31 viteve nga këto pamje tronditëse dhe emocionuese të 8 gushtit 1991, kur rreth 20 mijë shqiptarë në bordin e anijes “Vlora” nisën udhëtimin drejt lirisë, për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë, eksodi i shqiptarëve vijon dhimbshëm.

Edhe sot, 40 përqind e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin, duke rrezikuar jetën e tyre, janë shqiptarë.

Që drama e madhe e shpopullimit të marrë fund dhe shqiptarët të ankorojnë shpresën në Atdheun e tyre, duhet ndëshkuar kapja e shtetit, modeli korruptiv dhe kriminal që lë në varfëri shumicën e qytetarëve, për të pasuruar një pakicë.

Europa do ndërtohet në Shqipëri kur sovrani të marrë në dorë fatet e veta!

REFERENDUMI, kryefjala e angazhimit madhor të Partisë së Lirisë.’- shkroi Meta

Sipas një raporti sekret të Inteligjencës Ushtarake, në Angli, 40% e emigrantëve në kanalin e “La Mansh-it”, që ndan Britaninë e Madhe nga kontinenti europian, janë nga Shqipëria. Mësohet se rreth 1075 emigrantë kaluan me gomone 6 muajt e fundit, ndërsa vitin e kaluar ka qenë një shifër prej 757.

Hulumtimet e reja tregojnë se në shtatë vitet e fundit, gati gjysmë miliardë paund janë shpenzuar nga qeveria në përpjekje për të parandaluar kalimin e emigrantëve

Në vitin 1991, mijëra shqiptarë hynë në ambasadat e huaja në Tiranë, e shumë të tjerë morën risukun për të udhëtuar me anije jashtë vendit. Ky eksodi i madh i shqiptarëve i dha goditjen e fundit regjimit të Byrosë Politike në Shqipëri.

Në këto ngjarje pati edhe përleshje mes kundërshtarëve të regjimit dhe pushtetit të diktaturës komuniste 45 vjeçare. Qershori i vitit 1990, u shoqërua me disa të plagosur, ndërkohë që jo zyrtarisht, u deklarua se pati edhe një numër të vrarësh që tentonin të kalonin kufirin. Shqiptarët ishin të “etur” për liri dhe brenda pak ditësh u larguan mbi 4 mijë qytetarë nga vendi. Siç shihet qartë edhe në fotot e mëposhtme, për shqiptarët të cilët ishin të zhytyr në varfëri nuk kishte më kthim prapa. Të gjithë kishin në mendje ëndrrën europiane. Të gjithë ishin me sytë nga perëndimi.