Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë e shumë miqësore.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Orbán për mbështetjen domethënëse e pa rezerva që ai i ka dhënë Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Duke vlerësuar angazhimin e Qeverisë së zotit Orbán për të nxitur marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve, Presidenti Meta, nënvizoi vullnetin e gatishmërinë e palës shqiptare për t’i ngritur këto marrëdhënie në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.

Edhe në takimin me Kryeministrin Orbán, Presidenti Meta, shprehu besimin se rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm

dhe që pas katër viteve Shqipëria dhe Hungaria ta festojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate konkrete e domethënëse.

Ndërsa, duke iu referuar partneritetit aktual në NATO dhe partneritetit të ardhshëm në BE, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në sfidat me të cilat përballen të dy vendet.

Çështjet e emigracionit të paligjshëm dhe influencës së aktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë e bisedës midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Orbán.

Kryeministri Orbán e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë historike midis dy popujve.

Kryeministri Orbán shprehu gatishmërinë për të nxitur investimet hungareze në të gjitha drejtimet ku Shqipëria shpreh interes.

Artikulli paraprakKPK RIKONFIRMON NË DETYRË GJYQTARIN ILIR TOSKA
Artikulli tjetërOBOT, RIKONSTRUKSION RRUGËS PAS SHUMË VITESH