Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje për qetësi ditën e dielë, 30 qershorin e zgjedhjeve vendore ku shqiptarët votojnë për të zgjedhur 61 kryebashkiakët e rinj. Kreu i shtetit i bën një thirrje opozitës joparlamentare, që më herët ka bërë thirrje qytetarëve për të mos votuar të dielën, se gjatë ditës së nesërme duhet respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimi i personave që votojnë. Meta thotë se në këtë ditë me e rëndësishmja është vetëpërmbajtja.

Presidenti përmes një postimi në Facebook ditën e heshtjes zgjedhore, bën thirrje për të shmangur çdo provokim që mund të çojë drejt dhunës

“Të dashur qytetarë,

Përsëris thirrjen time për të respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithsecilit gjatë ditës së nesërme. Sërish ju ftoj të gjithëve të silleni me qetësi dhe mençuri! Është shumë e rëndësishme vetëpërmbajtja e gjithsecilit! E theksoj edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka nesër ruajtja e paqes sociale. Të gjithë duhet t’i shërbejmë asaj dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë.

Shmangni provokimet që mund t’ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cënojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”, shkruan Meta.

Të gjitha thirrjet për dhunë, përplasje, e vëllavrasje siç u artikulua nga disa zyrtarë të PD-së tashmë janë kthyer në thirrje për qetësi dhe një proces të paqtë zgjedhor, larg çdo akti dhune.  Mesazhi i Metës është edhe më domethënës se tërheqja nga dhuna e kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, pasi vjen pasi kreu i shtetit tre ditë para 30 qershorit nxori dekretin e tretë ku caktoi 13 tetorin si datë të re për zgjedhjet vendore. Një dekret që edhe përse nuk ka kaluar në “gjykim” e ka marrë verdiktin nga një vendim i Kolegjit Zgjedhor për dekretin e dytë, atë të anulimit të 30 qershorit. Kolegji vendosi se dekreti i vetëm i ligjshëm është ai i firmosur për herrë të parë nga Presidenti, i 30 qershorit si datë për zgjedhjet vendore 2019.

Thirrjet ndaj përkrahësve të partive të tyre, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, i bënë vetëm pak orë pas qëndrimit të prerë të zyrtarit të lartë amerikan Palmer, se SHBA do të shkëpusë marrëdhëniet me ata që do të tentojë që të pengojë zgjedhjet në Shqipëri ditën e diel.

Artikulli paraprakSHKODËR, BISEDË PËR EKSPOZITËN “FOTOGRAF TË JUGLINDJES”
Artikulli tjetërTHYHET URDHRI I ADEMIT, ROJA HAP DERËN E SHKOLLËS, VENDOSEN MATERIALET TE KZAZ-JA NR. 4 SHKODËR