Sfidat me të cilat përballet sot Europa dhe jo vetëm, janë krimet kibernetike.

Këtë e bëri të ditur Ministri i Brendshëm Taulant Balla nga fjala e tij, në Konferencën e 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën.

Balla evidentoi punën e bërë nga Shqipëria për të qenë një vend më i sigurt, ndërsa shtoi se vendi ynë është partnere e besuar e INTERPOL.

“Është hera e parë që Shqipëria drejton një event të INTERPOL-it të këtij niveli. Të ftuarit që mund të kenë vizituar Shqipëria dekada më parë, me siguri janë të mahnitur nga ndryshimi që vendi ynë ka bërë. Vitin e fundit më shumë se 10 mln turistë vizituan Shqipërinë. Rekord ky i të gjitha kohërave. Gjithsesi presim që ky numër të tejkalohet në 2024 me rreth 40 për qind. Shqipëria është fuqimisht e angazhuar në INTERPOL dhe partnere e besuar. Sot kemi sfida në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Krimet kibernetike nuk njohin kufi dhe duan një përgjigje të koordinuar”, tha ai.

Në lidhje me angazhimin e Policisë së Shtetit në kuadër të operacioneve ndërkombëtare, ministri bëri me dije se ka ardhur në rritje numri i ekipeve të operacioneve të përbashkëta.

“Kemi bërë pjesën tonë në kontributin për komunitetin ndërkombëtar të policisë. Numri në rritje i ekipeve të operacioneve të përbashkëta (16 gjatë vitit 2022 dhe 19 gjatë vitit 2023 – 2024); të arratisurve të arrestuar (82 gjatë vitit 2022 dhe 92 gjatë vitit 2023); dhe i takimeve operacionale të zhvilluara mes INTERPOL-it dhe Policisë së Shtetit Shqiptar (11 gjatë vitit 2022 dhe 26 gjatë vitit 2023), konfirmon Shqipërinë si një anëtar të angazhuar dhe partner të besuar”, tha ai.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPLAGOSJA E 30-VJEÇARIT NË SHKODËR, POLICIA IDENTIFIKON DHE SHPALL NË KËRKIM AUTORIN
Artikulli tjetërTONIGHT – 11.06.2024