Nga turizmi ekonomia shqiptare ka përfituar vitin e kaluar, 4.2 miliardë euro. Kështu bëri me dije ministri i Financave Ervin Mete në Forumin e CEO-ve të “AmCham”, i cili tha se kishte një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022. Sa u takon investimeve të huaja, Mete tha se arritën nivelin më të lartë historik, prej afro 1.5 miliardë euro.
‘Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, pozicioni i jashtëm i Shqipërisë është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili gjatë vitin e kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022. Investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro, sipas të dhënave më të fundit të publikuara ditën e djeshme nga Banka e Shqipërisë.’- tha ministri.
Tatimi mbi pagat do të ndryshojë në qershor të këtij viti. Pa dhënë shumë detaje Ministri i Financave Ervin Mete tha se synohet të rritet fasha e pagave që paguajnë tatim të lartë.
“Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave dhe në mënyrë që këtë momentum të mirë që po kalon ekonomia ta përkthejmë në një shpërndarje më të drejtë të mirëqënies për qytetarët, parashikojmë që si një masë lehtësuese për të punësuarit, në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga muaji korrik, të rrisim kufirin mbi të cilin aplikohet shkalla e sipërme e tatimit mbi pagën”, tha Mete.
Aktualisht tatim 23% paguajnë ata persona që kanë pagë mujore mbi 200 mijë lekë, dhe me këtë ndryshim pritet që ky tatim të aplikohet për paga më të larta. Tatimi 23% aktualisht paguhet nga rreth 23 mijë persona. Po ashtu ministri theksoi se po finalizohet edhe strategjia e re e të ardhurave.
“Jemi gjithashtu në një komunikim vazhdues me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të finalizuar një strategji të rishikuar për mbledhjen e të ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë, me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal dhe gjithashtu në frymën e ruajtjes së një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal” tha Mete.
Ndërkohë brenda prillit një tjetër paketë fiskale pritet të bëhet publike, që në thelb do të ketë rishikimin e tatimit mbi pagat, kryesisht atyre të larta. Mete tha se në qershor do të bëjmë aplikimin për t’u anëtarësuar në SEPA, Aderimi në Sistemin Unik Evropian të Pagesave.
‘Avancimi i mëtejshëm në procesin e integrimit europian është një shtysë e rëndësishme për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe plani i rritjes i Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor presim të shërbejë si mbështetje në këtë drejtim. Aderimi në Sistemin Unik Evropian të Pagesave (SEPA) është një nga mundësitë që i ofrohen vendit tonë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e këtij plani. Përfshirja në SEPA, për të cilën Shqipëria po përgatitet të aplikojë në muajin qershor, ul ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në. Për më tepër, anëtarësimi në SEPA na jep akses në sisteme moderne pagesash, më efikase dhe më të sigurta. Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve europiane, do të rrisë atraktivitetin tonë edhe si destinacion investimi.
Momenti i mirë që po kalon ekonomia e vendit, treguesit e përmirësuar makroekonomikë, si edhe vlerësimet e marra nga institucionet financiare ndërkombëtare nxisin më tej përpjekjet dhe vendosmërinë tonë për të thelluar ritmin e reformave, ku avancimi i mëtejshëm në procesin e integrimit europian do të shërbejë si një ankorë e rëndësishme për realizimin e këtyre objektivave, për të synuar një rritje më të lartë ekonomike, për punësim cilësor, si edhe përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe investimeve të huaja.’- tha Meta.