Pas vendimit të Strasburgut, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja thotë se 21 janari është një kapitull i hapur, për të cilin autoritetet shqiptare të drejtësisë duhet të dalin me një përgjigje të qarë. Në një prononcim për gazetarët, Manja tha se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka thënë qartë se 21 janari është një krim shtetëror që duhet hetuar. Manja theksoi se ky vendim i Strasburgut duhet të shërbejë për rihetimin e plotë të 21 janarit.

“Më duhet të them që vendimi i Strasburgut dhe pse i vonuar pas 12 vitesh është një vendim i mirë, konfirmoi qëndrimet tona me 21 janarin, është konsideruar shkelje e nenit 2 të konventës. Autoritetet kanë detyrimin për të respektuar vendimin e Strasburgut. 21 janari kapitull i hapur, duhet të ketë përgjigje të qartë të autoriteteve shqiptare për 21 janarin. Strasburgu ka thënë 21 janari nuk është hetuar në gjithë dimensionin si krim shtetëror”, tha Manja.

Sa i takon çështjes së Belerit, Manja u tregua i prerë edhe njëherë duke thënë se është çështje e drejtësisë dhe se qeveria nuk do të ndërhyjë. Ministri shtoi se nuk beson se Greqia do të bllokojë rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Më duhet të pohoj qëndrimin, Beleri është çështje e drejtësisë. Greqia ka qëllimet e veta, por kjo është një çështje e drejtësisë. Nuk besoj se Greqia do bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Manja.

 

Artikulli paraprakPËRFUNDOI NË SPITAL ME SHENJA DJEGIE NË TRUP, ÇFARË THONË HETIMET PËR RASTIN E 2-VJEÇARES
Artikulli tjetërSHKODËR, KREU PUNIME NDËRTIMI PA LEJE, PROCEDOHET 59-VJEÇARI