Ndërtimi i murit në Mitrovicë nga autoritetet lokale serbe të komunës veriore të këtij qyteti, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, janë sinjali i fundit për Bashkimin Evropian që të ndërhyjë dhe ndryshojë formatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, ka deklaruar se muri i ndërtuar në Mitrovicë është një realitet. Andaj, sipas tij, Bashkimin Evropian duhet ta kuptojë që mënyra se si është negociuar deri më tani, rezultatet dhe zbatimi i marrëveshjeve, kanë defekte shumë të mëdha. “Është e pakuptueshme që ne që gjashtë vjet zhvillojmë negociata në Bruksel me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq një ditë na lind një mur i cili nuk është vetëm simbolikë, por është realitet i vullnetit të insistimit të Serbisë dhe të serbëve që të ketë ndarje në Kosovë”, ka thënë Mustafa. Sipas kryeministrit të Kosovës, palët duhet të ulen dhe të bisedojnë seriozisht dhe të shihet se cila është periudha në të cilën duhet të vazhdojë dialogu dhe cilat janë çështjet të cilat duhet të përmbyllen së negociuari në procesin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. “Domosdo duhet të ri-formatohet apo reformohet dialogu dhe të shihet se çka mund të bëjmë ne, në mënyrë që të mos mbetemi ne derisa Serbia ta kryen gjithë rrugën e vet të integrimit në Bashkimin Evropian dhe ne të themi se po dialogojmë, kurse ata të mos e zbatojnë asnjë marrëveshje dhe gjithmonë të kenë shkak ose shkas ose arsye që të justifikojnë veprimtarinë dhe qëllimet e veta para BE-së”, ka deklaruar Mustafa.

Artikulli paraprakPROTESTON E ZHVESHUR KUNDËR GJELAVE TË KRISHTLINDJEVE
Artikulli tjetërZJARRI SHKRUMBON 3 HA PYJE NË VAU DEJËS