Në vetëm pak ditë që nga hapja, muzeu “Marubi” po kthehet në një epiqendër tejet të rëndësishme.

Tashmë ky muze i sapo hapur përveç qytetarëve të Shkodrës, nga qytete të tjera të Shqipërisë apo edhe vizitorëve të huaj ka edhe miq të tjerë të rëndësishëm. Në këtë muze kanë zbarkuar për ta vizituar në të dy katet përfaqësues të lartë të NATOS. Në fakt nuk ka qenë një vizitë zyrtare e tyre por e zhvilluar në mënyrë private për të shijuar fotot e dinastisë Marubi dhe muzeun e ri tërheqës. Në këtë vizitë morën pjesë përfaqësues të 28 shteteve të NATO-s, duke qenë në rangut më të lartë, në nivelet colonel e general. Në masa të rrepta sigurie, përfaqësuesit e lartë të NATO-s për rreth 30 minuta kanë parë çdo pjesë të muzeut “Marubi”. Në këtë vizitë private të tyren janë shoqëruar në çdo moment nga drejtori i muzeut Luçian Bedeni dhe pjesa tjetër e stafit. Drejtori Bedeni dhe stafi i tij kanë njohur përfaqësuesit e lartë të NATO-s me konceptimin e muzeut, katin e parë që i dedikohet kryesisht gruas dhe ekspozitave të përkohshme dhe katin e dytë që ka tre dhoma me tematika të ndryshme të tre emrave të mëdhenj të fotografosë Pietro, Kel dhe Gegë Marubi si dhe dedikimin për ekspozitat e përhershme. Nga sa mësohet ky delegacion me përfaqësues të 28 shteteve të NATO-s ka mbetur i impresionuar jo vetëm nga historia e kultura që ka fiksuar përmes aparatit fotografik dinastia “Marubi” por edhe për krejt muzeun, mënyrën e konceptimit dhe gjithçka që ofron ky muze edhe përmes teknologjisë. E gjitha kjo ka qenë e pritshme për këtë muze i cili edhe në ditët në vazhdim do të jetë pjesë e një numri të madh vizitorësh të thjeshtë por edhe personalitetesh e delegacionesh nga më të rëndësishmet duke qenë kështu një favor i madh edhe për vetë qytetin e Shkodrës.

Artikulli paraprakSPITALI I KOPLIKUT, 24 ORË NË SHËRBIM TË QYTETARËVE
Artikulli tjetërSHKOLLA PROFESIONALE “NDRE MJEDA” HAP DYERT E SAJ