Përmes një ceremonie solemne, dioqeza e Sapës përkujtoi 1 vjetorin e ndarjes nga jeta të Imzot Luçjan Avgustinit, njeriut që i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës kësaj ipeshkvie dhe qytetit të Vau-Dejësit.

Që nga ish-presidenti Alfred Moisiu, kryebashkiaku Zef Hila, të afërm, meshtarë e ipeshkvinj nderuan figurën e monsinjor Luçjan Avgustinit. Ish-presidenti Moisiu dhe kryetari i bashkisë Zef Hila nderuan figurën e Monsinjor Avgustinit duke vënë theksin tek kontributi i tij për dioqezën. Arqipeshkvi Charles John Broën solli gjithashtu përshëndetjet e Papa Françeskut për popullin shqiptar. Në fund të takimit u bë edhe një prezantim i shkurtër i librit përkujtimor në nder të Imzot Luçjan Avgustinit, jetës dhe kontributit të tij në shërbim të kishës katolike.

Imzot Luçjan Avgustini ka lindur në Ferizaj të Kosovës më 23 gusht 1963 dhe u nda nga jeta më 22 maj 2016. Në Vaun e Dejës. Më 27 tetor 1994 Luçjan Avgustini qe liruar nga detyrat në ipeshkvinë Shkup-Prizren, për të qenë  i lirë si “Dhuratë Feje” në arqipeshkvinë e Shkodrës. Më 14 korrik 1995 emërohet famullitar i katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër. Më pas,  Ati i Shenjtë Benedikti XVI e emëroi Ipeshkëv të Sapës në Shqipëri, për ta zëvendësuar Imzot Dodë Gjergjin që ishte caktuar Ipeshkëv i Kosovës në vitin 2006. Monsinjor Luçjan Avgustini u nda nga jeta pas 10 vitesh në shërbim të dioqezës së Sapës. 

Artikulli paraprakKOLEGJI ZGJEDHOR SHQYRTON SOT KËRKESËN PËR ANKIMIMIN E PAP
Artikulli tjetërAFATET PËR LISTAT E KANIDATËVE, PAP TËRHEQ ANKIMIMIN NGA KOLEGJI ZGJEDHOR