Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar për ndryshimet në Ministrinë e Brendshme duke thënë se qeveria e Ramës merr vendime për të forcuar lidhjet me krimin e organizuar. Sipas Bardhit, shkarkimi i Bledi Çuçit është i merituar por e cilëson të rëndë aktin e Ramës për të çuar Taulant Ballën në krye të Ministrisë së Brendshme.

“Botërisht dihet që Ministrat e Brendshëm emërohen për të luftuar krimin e organizuar. Vetëm në Qeverinë e Edi Ramës ndodh që emërohen për të forcuar dhe konsoliduar lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes!

Akti i sotëm i Edi Ramës është shumëfish më i rëndë sesa vetë ngjarja që solli shkarkimin e merituar të ish Ministrit Çuçi! Dorëzimi i Ministrisë së Brendshme në duart e krimit të organizuar është kapitullim i shtetit!”, shkroi Bardhi. Reagimi i Bardhit erdhi pasi kryeministri Edi Rama vendosi të shkarkojë Bledi Çuçin nga detyra e ministrit të Brendshëm dhe në këtë post të emërojë Taulant Ballën. Vendimi i kreut të qeverisë për shkarkimin e Çuçit dhe emërimin e Ballës erdhi pas ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë që tronditi opinionin publik, dhuna e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja për guroren në Krujë. Po ashtu, Rama mori këtë vendim pas daljes së fakteve që policia në Krujë kishte lidhje me dhunuesit dhe 40 denoncime nga qytetarët nuk ishin marrë seriozisht por flinin në sirtarët e policisë. Banorët thonin se në vend që të merreshin masa, u kërcënuan me burg e pranga nga shefi i komisariatit të Krujës nëse dilnin të protestonin për të bllokuar aktivitetin e tyre.

Artikulli paraprakAUTOBUZI PËRPLASET ME MOTORÇIKLETËN, 2 PERSONA NË GJENDJE TË RËNDË
Artikulli tjetërBERISHA: TURI I EDI RAMËS PËRFUNDOI SI TURI ALBIN KURTIT