David McAllister, deputet në Parlamentin Evropian thotë se BE është e gatshme t’i pranojë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, nëse këto të fundit zbatojnë kushtet dhe pritshmëritë.

Në një intervistë për “DW”, eurodeputeti gjerman, shtoi hapja e negociatave të antarësimit të Shqipërisë në BE mund të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm, në rast se Tirana do të shënojë progres të kënaqshëm në përmbushjen e kritereve. Shefi i Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Europian, sikurse Komisioneri Hahn një ditë më parë, është shprehur se më të përparuar drejt anëtarësimit duken Mali i Zi dhe Serbia.

Akoma më larg në optikën e tij duket antarësimi i Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnjës. “Ne po shohim përparime. Mali i Zi negocion për 20 nga 39 kapitujt e anëtarësimit. Serbia ka 10 kapituj të hapur. Po të eci gjithçka pa probleme, Shqipëria mund të nisë ndoshta vitin e ardhshëm bisedimet zyrtare të anëtarësimit. Tri shtetet e tjera, Maqedonia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë pak më mbrapa, por kanë një perspektivë të mirë”. Por a është i gatshëm për anëtarësim Bashkimi Evropian?

“Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker e bëri të qartë se në këtë legjislaturë (deri në qershor 2019) ne nuk do të pranojmë asnjë vend. Por kjo ishte edhe e qartë, sepse BE është ende duke përpunuar zgjerimet e viteve 2004, 2007 dhe 2013. Në parim Bashkimi Evropian është i aftë dhe i gatshëm për pranim. Por më parë duhet të marrë përgjigje pyetja, nëse shtetet kandidate janë vërtet të gatshme dhe që t’i kenë zbatuar me të vërtetë reformat.

Kemi nevojë për përparime në gjërat themelore, në sundimin e së drejtës, në lirinë e medieve, në demokracinë e fortë, në të drejtat për opozitën, në tolerancën fetare. Këto janë vlerat kyçe. Megjithë disa hapa pas, unë jam optimist që shtetet e Ballkanit Perëndimor do të zhvillohen në këtë drejtim”, – theksoi MCAllister.

Artikulli paraprakGJOBA MBI 500 EURO PËR TURISTËT QË NDOTIN QENDRËN
Artikulli tjetërZJARR NË ITALI, SË PAKU DY VIKTIMA