Është nënshkruar këtë të martë në Tiranë marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin.

Në fjalën e tij në këtë event, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, kjo marrëveshje është një shtysë për zhvillim të mëtejshëm të Shqipërisë. Rama e ka vlerësuar të një rëndësie etike bashkëpunimin e qeverisë së tij dhe Bankës Botërore, e cila ka mundësuar edhe dhënien jetë të reformave. “Banka Botërore është një burim i rëndësishëm strategjik i dhënies dhe marrjes së dijeve, jo vetëm ndihma financiare. Partneriteti strategjik që kemi konsoliduar në këto vite ka mundësuar shkëputjen nga problemet e trashëguara”, ka deklaruar Rama. Këtu, kryeministri ka përmendur reformën në energji, për rrogat dhe pensionet dhe atë kundër informalitetit. “Janë tre reforma që kanë filluar të japin rezultatet e para. Hemoragjia e humbjeve në sektorin energjitik është ndalur”, ka thënë Rama, duke shtuar se sot ky sektor është kthyer në një burim të ardhurash. “E njëjta gjë ka ndodhur me skemën e pensioneve”, ka vijuar Rama, sipas të cilit kjo reformë garanton qëndrueshmëri.

Nga ana tjetër, “reforma kundër informalitetit, që është komplekse dhe e vështirë, ka dhënë disa rezultate, referuar të cilave kemi arsye të jemi optimistë se edhe në këtë drejtim do të arrijmë sukses”, ka thënë Rama. Ai ka shtuar se, “kjo marrëveshje me BB na çon në drejtimin e duhur për të bërë shumë më tepër”. Në të njëjtat linja, përfaqësuesja e BB për Shqipërinë ka vlerësuar se, kjo marrëveshje mund të shënojë një kthesë për Shqipërinë, “duke shërbyer për të rimëkëmbur ekonominë”. “Nënshkrimi i këtij projekti do të ndihmojë në arritjen e rezultateve ekonomike”, ka thënë ajo. I pranishëm në këtë event ka qenë edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili ka firmosur në emër të qeverisë shqiptare.

Artikulli paraprakME KAFSHË TRANSPORTON 122 KG DROGË DREJT MAQEDONISË
Artikulli tjetërRAMA: DO JEM KRYEMINISTËR EDHE PËR KATËR VITE