Pas vettingut në drejtësi një tjetër filtër do të nisë në fund të korrikut. Bëhet fjalë për efektivët e rendit, të cilët do të kalojnë në sitën e verifikimit për pasurinë karrierën dhe integritetin profesional.

Në faqen zyrtare të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit janë publikuar listat e punonjësve të Policisë së Shtetit që aktualisht janë në detyrë dhe që do t’i nënshtrohen vlerësimit kalimtar dhe periodik në shortin e parë.

Lista nis me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, zv/drejtoren Aida Hajnaj duke vijuar me Tonin Vocajn Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, Gjovalin Loka Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike e duke vijuar më pas me të gjithë krerët e drejtorive qendrorë në policinë e shtetit garde dhe SHCBA.

Pesë trupat e vlerësimit kanë nisur hetimin administrativ me kërkimin e të dhënave nga institucionet publike dhe private. Ky proces bazohet në tre komponentët e vlerësimit: kontrolli i pasurisë, kontrolli i figurës dhe kontrolli profesional.

Pas përfundimit të procesit të hetimit administrativ subjektet do të njoftohen për përfundimin e hetimit administrativ dhe caktimin e datës për seanca dëgjimore publike. Vettingu për forcat e rendit u hartua dhe u vu në zbatim nga ish ministri i brendshëm Fatmir Xhafa, por u ndryshua më pas me nismën e ministrit Sandër Lleshaj.

Artikulli paraprakPROTESTA E OPOZITËS, AMBASADA E SHBA THIRRJE QYTETARËVE: SHMANGNI GRUMBULLIMET, MË HERËT KA PASUR DHUNË
Artikulli tjetërPROTESTA, IRONIA E METËS: SA MË PAK ZHURMË SOT,NË RESPEKT TË ORGANIZATËS SOCIALISTE NË KQZ