Notarët shkodranë të ekipit “Future Sports Academy Shkodër”, kanë siguruar disa rezultate mjaft pozitive në garat e fundit. Një gjë e tillë ndodhi pikërisht në garat e turneut ndërkombëtar “Neptun Cup 2024”, të zhvilluar pak ditë më parë në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Në këtë turne ishin pjesëmarrës 35-ekipe, të cilët morën pjesë me 410-notarë, nga të cilët 227-meshkuj dhe 183-femra nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bullgaria. Kështu, në këto gara, “Future Sports Academy Shkodër”, edhe pse u përfaqësua me gjysmën e ekipit, arriti të marrë tre medalje bronzi dhe një medalje argjendi. Ekipi i “Future Sports Academy Shkodër” konkurroi në këtë aktivitet me tre sportistë dhe bëhet fjalë për Ajdin Loshin, Arbër Hysajn dhe Arlind Hysajn.

Në garat më të forta dhe me më shumë pjesëmarrje, notarët e këtij ekipi arritën të jenë ndër 10-më të mirët në kategorinë absolute. Prej tyre, rezultatet më të mira i arritën notarët, Ajdin Loshi dhe Arbër Hysaj. Ky i fundit siguroi tre medalje bronzi në 100-metër katër-notim, në 100-metër stil i lirë dhe në 100-metër shpinë. Poashtu, Hysaj mori medalje argjendi edhe në 50-metër shpinë. Ndërkohë, në Kategorinë “Open”, në garën më të fortë, Ajdin Loshi arriti të jetë ndër 10-më të mirët nga të gjitha moshat në garën 100-metër stil i lirë.

Poashtu, në bazë të këtyre rezultateve, në renditjen e ekipeve për medaljet e marra në këtë kampionat, “Future Sports Academy Shkodër” u rendit në vend të 19-të, duke treguar në këtë mënyrë se rezultatet e notit shkodran po vijnë gjithnjë në rritje dhe me siguri që në garat e ardhshme do të dhurojnë rezultate edhe më të mira. Padyshim që, të gjitha këto rezultate të mira vijnë falë punës profesionale të trajnerit Altin Loshi, por edhe drejtorit Gilbert Hysaj. Ky ekip, krahas përfaqësimit dinjitoz të secilit nga notarët e tij garë pas gare, po përfaqëson më së miri edhe qytetin e Shkodrës në sportin e notit, kudo në arenën ndërkombëtare.

Artikulli paraprakURA E “VDEKJES” NË SHKOPET
Artikulli tjetërEKSPOZOHEN DOKUMENTET E HASAN RIZA PASHËS