Kolegji i Posaçëm i Apelit ka shkarkuar nga detyra kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.

Trupa e përbërë nga Ardian Hajdari, Luan Daçi, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz arritën në përfundimin Bashkim Dedja nuk justifikon pasurinë dhe nuk ka nivelin e besueshëm për të vijuar detyrën.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë kryetarin e Kushtetueses në datë 13 qershor (lexo këtu), por Komisioneri Publik vendosi ta ankimojë vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Sot Kolegji vendosi që ta shkarkojë nga detyra, pasi nuk justifikon dy apartamente, njërin në Tiranë dhe tjetri në Golem. Sipas KPA, Dedja, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme kur u dha vendimi, ka më shumë pasuri sesa mund të justifikojë dhe nuk ka shpjeguar burimin e të ardhurave financiare.

Me shkarkimin e Dedjas pritet që të shikohet se cfarë do të ndodhë edhe me KED, pasi kryetari i Kushtetueses ishte zgjedhur anëtar.

Pasuria që nxorri jashtë sistemit kryetarin e Kushtetueses Bashkim Dedja ka një apartament në Tiranë me sipërfaqe 146 metër katrorë dhe një garazh 15 metra katrorë, me vlerë 180 mijë euro, të cilën edhe pse sipas KPK e justifikon, por KPA e rrëzoi, pasi nuk ka të ardhura të mjaftueshme për ta justifikuar.

Dedja në muajin qershor në KPK, deklaroi se 120 mijë euro i kishte marrë kredi për 20 vjet, ndërsa 35 mijë euro të tjera i kishte kursime ndër vite të tijat dhe bashkëshortes.

25 mijë eurot e tjera Bashkim Dedja kishte deklaruar se ja kishte marrë hua vëllait dhe kunatit.Por, KPK verifikoi se në datën e huamarrjes nga kunati deklaruar në aktin noterial, kunati nuk ka qenë fare në Shqipëri.

Më pas Dedja ndryshoi deklarim duke thënë se 10 mijë euro i kishte marrë nga babai i kunatit, por KPK verifikoi paaftësinë paguese të kunatit për të dhuruar para.

Sa i takon 15 mijë eurove të tjera që gjyqtari Kushtetues deklaroi se i kishte marrë hua nga vëllai, KPK verifikoi dhe deklaroi se i vëllai që jeton në Greqi prej vitesh nuk kishte aftësi paguese, pasi në kohën kur pretendohet t’i ketë dhënë hua 15 mijë euro vëllait gjyqtar, vetë ka blerë një shtëpi 40 mijë euro me kredi.

Kolegji i Apelimit deklaroi sot se personi që personi që Dedja tha se i kishte marrë hua nuk ka të ardhura të mjaftueshme për një gjë të tillë.
Problemi i dytë që dogji kryetarin e Kushtetueses ishte apartamenti në Golem, ku Dedja ka deklaruar se e ka në përdorim, por është pronë e vëllait tjetër që jeton në Dibër.

Në qershor KPK verifikoi dhe deklaroi se kontrata e energjisë elektrike është paguar vetëm nga Bashkim Dedja nga dita e parë. Megjithatë, pavarësisht të gjitha dyshimeve, KPK e konfirmoi, ndërsa sot KPA e nxori jashtë sistemit të drejtësisë.

Artikulli paraprak100 EURO GJOBË NËSE HEDH FISHEKZJARRE OSE KAPSOLLA
Artikulli tjetërHIDHET SHORTI I ‘CHAMPIONS LEAGUE’, 3 PËRBALLJE TE FORTA NË 1/16