Gjykata e Tiranës ka marrë 2 vendime kundër Dukës dhe FSHF-së. Së pari, rrëzohet kërkesa e FSHF për pezullim të gjyqtarëve dhe, së dyti, pezullohen zgjedhjet e 2 Marsit për kreun e FSHF dhe KE-së.

Gjykata e Tiranës gjithashtu pezulloi komisionin Kokëdhima për mandatet e FSHF dhe janë bllokuar procedurat e FSHF deri në gjykimet për mashtrim. Pas gjyqtares F.Osmani, edhe gjyqtari F. Kapllani pezulloi zgjedhjet e FSHF.

Moszbatimi i vendimit të gjykatës ndëshkohet me 2-3 vite burg për shkelësit. Gjithashtu, moszbatimi i vendimit nga FSHF është shkelje penale.

GJYQET E HUMBURA DHE GJOBA

Edhe pse ende nuk ka një reagim zyrtar nga Federata në lidhje me vendimin e dhënë nga Gjykata për pezullimin e garës, mësohet se ata kanë të drejtë duke filluar nga dita e sotme që brenda 5 ditëve t’i drejtohen Gjykatës së Apelit për ta rrëzuar këtë vendim. Po ndërkohë që Gjykata e Tiranës ka dhënë tri vendime kundër FSHF-së, Duka ka vijuar me procesin që do ta çojë atë në zgjedhjet e 2 marsit.
Gjykata e Tiranës, përveç dhënies së të drejtës kryebashkiakut të Tiranës për padinë në rolin e aksionarit, ditën e djeshme ka vendosur sërish në favor të tij duke e gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Armand Dukën me 700 mijë lekë për pengimin e procesit gjyqësor.

Ndërsa që beteja në gjykatën e Tiranës dhe jashtë saj vijon mes Dukës dhe Veliajt, në vendin tonë vijojnë të qëndrojnë edhe një delegacion i UEFA-s të cilët duket se po monitorojnë gjithçka që ka të bëjë me akuzat, vendimet, gjyqet e deri te përplasjet publike mes dy protagonistëve. Me sa duket Gjykata e Tiranës nuk është mjaftuar vetëm me pezullimin e zgjedhjeve të FSHF-së në të gjithë vendin.

Ajo e ka dënuar Presidentin e FSHF Armand Dukën me gjobë për pengim të procesit gjyqësor. Në vendimin e saj, Gjykata bën me dije se ka dënuar me 700 000 lekë gjobë FSHF-në dhe drejtuesit e saj për pengimin e gjykimit lidhur me procesin e hapur për manipulimet me shoqatat rajonale me qëllim paracaktimin e rezultatit të zgjedhjeve të 2 marsit duke favorizuar Dukën. Kjo është humbja e tretë e Armand Dukës në përballjen me drejtësinë shqiptare vetëm në harkun kohor të pak ditëve.