Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç dhe Presidentin e Ukrainës Volodomyr Zelensky në Kiev.

Rama tha se nuk ka asnjë problem për Shqipërinë nëse Ukraina merr statusin e vendit kandidat nga BE, duke dhënë mbështetjen e tij. Ai theksoi se ky status si vend kanidat do të thotë vetëm se e ardhmja e ukrainasve është në BE.

“Kjo pyetje nuk duhet të më drejtohet mua së paku sepse jemi këtu për të mbështetur nevojën dhe kërkesën e Ukrainës për të marrë statusin kandidat. Nuk dua që t’u jap njerëzve që mund të na shohin dhe dëgjojnë tani përshtypjen që kjo është diçka pa vlerë. Sepse nuk është kështu. Statusi kandidat është një njohje e rëndësishme e asaj se ku ti përket dhe Ukraina i përket bashkësisë europiane të vlerave dhe parimeve që të gjithë bashkëndajmë. Është e drejta e Ukrainës të kërkojë të jetë pjesë e tij dhe unë besoj që është detyra e Europës t’iu përgjigjet këtyre kërkesave. Por dua të jem i sinqertë me ju, mund të marrësh statusin kandidat, por të nesërmen dielli nuk lind më herët, jeta do të vazhdojë po aq e vështirë sa ç’ka qenë. Çka do të thotë se është një proces tejet i gjatë. Kam humbur numrin e viteve që kur Maqedonia e Veriut u bë vend kandidat, ne Shqipëria u bëmë vend kandidat në 2014. Nuk e di kur do t’i nisim negociatat për anëtarësim sepse nuk varet nga ne dhe nuk varet as nga BE në këtë moment. Nëse dhe në këtë Këshill Europian nuk do jenë në gjendje të zhbllokojnë Maqedoninë e Veriut do kërkoj të ndahemi. Jemi këtu thjesht për t’i thënë jo vetëm mikut tonë të dashur Presidentit Zelensky, por gjithkujt publikisht se nuk kemi asnjë problem në qoftë se BE-ja i jep statusin kandidat Ukrainës. Askush nuk duhet të thotë kësisoj se nëse ia japim Ukrainës këta të tjerët që po presin do të bëhen nervozë. Jo, nuk do të bëhemi nervozë, përkundrazi do të jemi të lumtur për BE-në sepse do të bëjë diçka shumë të dobishme për veten, jo për Ukrainën, por për veten. Nuk e di se sa mund të dëgjohet zëri ynë në këtë drejtim, por e rëndësishme ta themi”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare i ka përmendur Kosovën, presidentit ukrainas, teksa ky vend ende nuk e njeh si shtet.

“Ballkani Perëndimor ka 5 vende në Kombet e Bashkuara, të gjitha ato janë rreshtuar krah Ukrainës, pavarësisht historisë së ndryshme, pavarësisht kontekstit të ndryshëm, pavarësisht marrëdhënieve të ndryshme me Rusinë, pasi është krejt ndryshe se si e shohim botën përkundrejt Rusisë në qoftë se merrni për shembull Shqipërinë dhe Serbinë, apo Malin e Zi dhe Bosnjën, por të gjitha janë në mbështetje. Por ka edhe një vend të gjashtë, që Ukraina ende nuk e ka njohur, Kosova, e cila pavarësisht kësaj po bën saktësisht të njëjtën gjë që po bëjnë të gjithë, me sanksionet dhe mbështetjen e plotë. Do të thotë që këtu jemi në një linjë të mirëpërkufizuar të asaj çfarë jemi dhe përfaqësojmë. Besoj fort që është gjëja e duhur për t’u bërë. Ukrainës duhet t’i jepet statusi kandidat. Populli duhet ta dijë sot që e ardhmja është në BE. Kjo është e vetmja gjë që nënkupton statusi kandidat”, tha Rama.

Artikulli paraprakRAMA NGA KIEVI: HEZITOJA TË VIJA. MUNDËSIA E VENDIT TIM PËR TË NDRYSHUAR FATIN E LUFTËS NUK MJAFTON
Artikulli tjetërANALIZA E “NEW YORK TIMES”: VUÇIÇI SI PUTINI, TË DY PO LUAJNË ME “NARRATIVËN E VIKTIMËS”